Inflacioni sipas Eurostat 2.4 për qind në janar 2025, mbetet nën mesataren e BE
Inflacioni sipas metodës së Eurostat vijon të jetë më i lartë sesa inflacioni i matur sipas mënyrës së INSTAT, edhe për janarin 2025.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit mat ndryshimin e çmimeve për familjet shqiptare dhe të huajve në tregjet e pakicës, ndryshe nga IÇK, ku mbulohen vetëm shpenzimet e familjeve private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga Instituti i Statistikave, indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumin për muajin e parë të këtij viti ishte 2.4%, po aq sa edhe në dhjetor 2024.
Konstatohet se rritja kryesore mujore ka ardhur si pasojë e ushqimeve, me 1.1%, ndjekur nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,4 %, “Shëndeti” dhe “Transporti” me 0,1 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,4 %, pasuar nga grupi “Mallra dhe shërbime të ndryshme” 0,1%.
Ndërsa referuar ndryshimeve vjetore, rritja më e madhe e çmimeve prej 5,8 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,6 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,9 % secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, “Shërbimi arsimor” me 1,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,5 %, “Shëndeti” dhe “Komunikimi” me 1,2 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,9 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,1 %.
Inflacioni në janar, sipas matjeve të Instat ishte 1.9%, duke shënuar rënie krahasuar me muajin dhjetor 2024. /ekofin.al