Secondary Adv

Incentivat e ligjit të ri, asetet e fondeve të pensioneve private u rritën 17 per qind në 2024

Miratimi i ligjit të ri për fondet e pensionit privat, i cili hyri në fuqi në 6 nëntor të vitit 2023, ka dhënë impakt të menjëhershëm në tregun e pensioneve private në vitin e tij të plotë të zbatimit.

Referuar të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, asetet totale neto të fondeve të pensionit në fund të vitit 2024 arritën në 12.87 miliardë lekë, me një rritje të konsiderueshme prej 1.85 miliardë lekë, ose 16.84% më shumë sesa në fund të vitit 2023.

 

Rritja e vlerës së aseteve u shoqërua gjithashtu edhe me hyrjen e anëtarëve të rinj në këto fonde. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur, në fund të dhjetorit të vitit 2024, raporton AMF, arriti në 44,926 anëtarë, me një rritje prej 15.71% krahasuar me fundvitin 2023.

 

Në vlerë asetesh, fondi i pensioneve Sigal vijon të kryesojë tregun, me 38.87% të vlerës së përgjithshme të aseteve, ndjekur nga Credins Pensions dhe Raiffeisen. Ndërsa për numër anëtarësh, kryeson Credins Pensions, ndërsa Sigal është i dyti dhe Raiffeisen renditet i treti. Vitin e kaluar, në treg operuan 7 fonde pensionesh,

 

Ligji i ri solli më shumë lehtësi fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor u rrit në nivelin e pagës minimale të miratuar, 40 mijë lekë në muaj.

 

Në këtë mënyrë, në rastin e kontributeve me këtë vlerë, shuma vjetore e përjashtuar nga tatimet ka arritur deri në 480 mijë lekë në vit, duke u rritur me 140%, krahasur me pragun e mëparshëm vjetor prej 200 mijë lekësh.

 

Gjithashtu, edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit janë të përjashtuara nga tatimi në të njëjtën masë.

 

Parashikohet gjithashtu që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me këste të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme.

 

Ligji i ri ka sjellë edhe një sërë risish të tjera, si aplikimin e fondeve të hapura dhe të mbyllura, përmirësime sa i përket transparencës, qeverisjes, si edhe një sërë aspektesh të tjera. /ekofin.al


Më të lexuarat