
Euro forcohet, e nxitur nga optimizmi për rezultatet e zgjedhjeve në Gjermani
Zgjedhjet në Gjermani mund të nxisin optimizmin për reformën e mundshme të politikës fiskale, e cila pritet të rigjallërojë ekonominë më të madhe të Europës.
Euro dhe DAX mund të forcohen më tej ngarezultati i parashikuar.
Si euro ashtu edhe tregjet gjermane të kapitalit ka të ngjarë të rriten, për shkak të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani të zhvilluara gjatë fundjavës.
Tregjet presin që rezultati të çojë në një koalicion të favorshëm partiak, që përshpejton reformën ekonomike dhe sjell një ndryshim thelbësor në ekonominë më të madhe të Europës.
Sipas exit poll-eve, rezultatet e parashikuara përputhen kryesisht me pritshmëritë. Demo-kristianët e qendrës së djathtë (CDU/CSU) fituan më shumë vota me 28.5%, ndjekur nga partia Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) me 20.7%.
Partia Social Demokratike (SPD) e kancelarit Olaf Scholz është në vendin e tretë me 16.5%, rezultati më i keq që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa të Gjelbërit janë me 11.7%. Demokratët e Lirë (FDP) dhe Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) fituan përkatësisht 4.4% dhe 4.9% të votave, duke i vendosur ata në prag të kapërcimit të pragut prej 5% të kërkuar për përfaqësim parlamentar.
Udhëheqësi fitues, Friedrich Merz, deklaroi se ishte koha, që palët të zhvillojnë bisedime dhe të krijojnë një qeveri të re deri për Pashkë, duke u lejuar grupeve politike dy muaj për negociata.
Një skenar “koalicioni i madh”
Ndërsa rezultati përfundimtar do të varet nga negociatat ndërpartiake, një rezultat i mundshëm është një koalicion qeveritar i formuar nga CDU/CSU dhe SPD, së cilës mund t’i bashkohet një palë e tretë, të Gjelbërit.
Një formacion i tillë pritet të hapë rrugën për reformimin e “frenimit të borxhit” të Gjermanisë, një rregull fiskal i miratuar në 2009 që kufizon huamarrjen e qeverisë, duke kufizuar deficitin buxhetor në 0.35% të produktit të brendshëm bruto (GDP) të vendit.
Ekonomia e Gjermanisë u tkurr për dy vjet radhazi në vitin 2024, duke luftuar me rritjen e çmimeve të energjisë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Ndërkohë, kufizimet e shpenzimeve qeveritare çuan në tkurrjen e investimeve dhe zgjerimin e kufizuar ushtarak.
Qeveria e re do të duhet gjithashtu të adresojë kërcënimet tarifore të presidentit amerikan Donald Trump dhe thirrjet e tij për Gjermaninë që të rrisë shpenzimet e mbrojtjes.
Megjithatë, pasiguritë mbeten, pasi dy partitë e pakicës nuk kanë arritur ende rezultatet përfundimtare, ndërsa AfD e ekstremit të djathtë mund të kundërshtojë reformën fiskale. Koalicioni i ri duhet të fitojë dy të tretat e vendeve parlamentare për të siguruar shumicën.
Euro dhe DAX mund të fuqizohen më tej
Si euro ashtu edhe tregjet gjermane të aksioneve ka të ngjarë të shohin një vrull pozitiv në afat të shkurtër mes optimizmit zgjedhor, sipas shumë analistëve. Qeveria e re pritet të ndryshojë ekonominë e Gjermanisë dhe të tërheqë më shumë fonde investimi në vend.
Euro arriti në 1.05 kundrejt dollarit amerikan javën e kaluar përpara zgjedhjeve. Monedha e përbashkët kishte rënë në pak më shumë se 1.02 – niveli më i ulëta që nga nëntori 2022 më 3 shkurt, kur Donald Trump njoftoi grupin e parë të planeve tarifore, duke përfshirë tarifat 25% për Meksikën dhe Kanadanë dhe një taksë 10% për mallrat kineze.
Pavarësisht mungesës së kostove të drejtpërdrejta të eksportit për Bashkimin Europian, këto tarifa ndikojnë ndjeshëm në bizneset europiane, të cilat janë gjerësisht të ekspozuara ndaj tregtisë globale.
Megjithatë, euro është forcuar që atëherë, duke u rritur gati 3% kundrejt monedhës së gjelbër, e nxitur nga vonesa e Trump në zbatimin e planeve tarifore dhe një rritje e gjerë në tregjet europiane të aksioneve.
Standardi i tregut të aksioneve të Gjermanisë, DAX, humbi vrullin javën e kaluar pasi u rrit me 15% këtë vit. Rënia u shkaktua nga njoftimi i Trump për plane tarifore për automobilat, produktet farmaceutike dhe çipat kompjuterikë.
Një shitje e gjerë e aksioneve në Wall Street rëndoi gjithashtu në tregjet europiane të premten e kaluar. Pavarësisht kësaj, aksionet europiane kanë performuar më mirë se homologët amerikanë, me përfitime të dukshme në sektorin e mbrojtjes.
Aksionet e prodhuesit më të madh gjerman të armëve, Rheinmetall, janë rritur me 44% këtë vit. Pritshmëritë për rritjen e shpenzimeve ushtarake nga qeveria e re gjermane ka të ngjarë të nxisin fitime të mëtejshme në këtë sektor. /monitor(https://monitor.al/euro-forcohet-e-nxitur-nga-optimizmi-per-rezultatet-e-zgjedhjeve-ne-gjermani/)
Më të lexuarat








