Marrëveshja me arabët, Italia siguron energji të rinovueshme deri në 3 GW nga Shqipëria
Arabët lëvizin për të bërë realitet projektin e transmetimit të energjisë nga Shqipëria drejt Italisë, përmes një linje transmetimi nënujore.
Në prani të Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, kompanitë e energjisë Masdar dhe TAQA Transmission, nënshkruan një marrëveshje me italianët e Eni S.p.A., duke shënuar një hap të rëndësishëm të zbatimin e projektit.
Marrëveshja kuadër mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Italisë, pason kuadrin strategjik trepalësh, të nënshkruar gjatë Javës së Qëndrueshmërisë në Abu Dhabi, për bashkëpunimin shumëpalësh mes dy shteteve dhe Shqipërisë. Nisma synon të rrisë sigurinë energjetike, të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përshpejtojë transformimin energjetik të rajonit të Mesdheut.
Konkretisht, marrëveshja e nënshkruar ditën e djeshme mes Eni dhe Masdar, së bashku me TAQA Transmission, i specializuar në transmetimin e energjisë, ka të bëjë me gjenerimin e deri në 3 GW energji e rinovueshme në Shqipëri, e cila do të transmetohet më tej në Itali, përmes linjës nënujore të transmetimit me kapacitet 1 GW dhe ku shoqëria italiane Eni do të jetë përfituesi preferencial.
Autoritetet nuk kanë publikuar shumë detaje teknike nga projekti, por në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ku mori pjesë edhe Shqipëria, në Abu Dhabi, vlera e investimit u llogarit në 1 miliardë euro. /ekofin.al