Secondary Adv

Sigurimet e detyrueshme e ngritën tregun në rritje dyshifrore për janarin

Tregu i sigurimeve e nisi vitin 2025 me rritje 11.4%, duke arritur 1.98 miliardë lekë në janar, sipas të dhënave të AMF.

Tregu i sigurimeve e nisi me rritje dyshifrore vitin 2025. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për janarin primet e shkruara bruto arritën vlerën e 1.98 miliardë lekëve, në rritje me 11.4% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

 

Rritja e tregut këtë vit është më e mirë krahasuar me atë të janarit të vitit të kaluar (3.6%) dhe në përgjithësi më e lartë se rritja mesatare prej 7% e gjithë vitit 2024.

 

Rritja paraqitet më e lartë në segmentin më të madh të tregut, atë të sigurimeve të Jo-Jetës, në nivelin 11.4%, ndërsa tregu i sigurimit të jetës është rritur me 10.5% krahasuar me një vit më parë.

 

Sipas produkteve, rritja e tregut është mbështetur në pjesën kryesore te sigurimet e detyrueshme motorike. Sipas AMF-së, sigurimet e detyrueshme motorike u rritën me 14.6% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. 

 

Brenda produkteve të sigurimit të detyrueshëm, kontributin kryesor në rritje e ka dhënë sigurimi të brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (MTPL), me një rritje prej 15.1% më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Rritja e primeve të sigurimit TPL ka ardhur pjesërisht nga shtimi i numrit të kontratave dhe pjesërisht nga rritja e çmimit mesatar që solli metodologjia e re, për përcaktimin e çmimeve bazuar në disa faktorë rreziku.

 

Kjo ka bërë që pesha e sigurimeve të detyrueshme motorike të arrijë në 67% të primeve të shkruara bruto në sigurimin e jo-jetës, ndërsa veçmas sigurimi i brendshëm TPL përbënte 57.2% të tyre.

 

Një tendencë më pozitive për janarin ka shfaqur edhe Kartoni Jeshil, me një rritje prej 12.8% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

 

Nga ana tjetër, sigurimet vullnetare për muajin janar në përgjithësi kanë shfaqur rritje më të ulët krahasuar me sigurimet e detyrueshme motorike dhe me rritjen mesatare të tregut. Madje, produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, pësoi një rënie të primeve të shkruara bruto me 8.3% më pak krahasuar me një vit më parë.

 

Tregu i sigurimit të jetës edhe për janarin ka vazhduar të dominohet nga produkti i sigurimit të jetës së debitorit, i lidhur kryesisht me kreditë bankare. Primet e shkruara bruto në këtë produkt përbënin 65% të primeve të shkruara bruto në tregun e jetës, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 63.8% i një viti më parë.

 

Nga ana tjetër, dëmet e paguara bruto për muajin janar janë rritur me afërsisht 13% krahasuar me janarin e vitit 2024. Rritja më e fortë është regjistruar në tregun e jetës, me 136%, kryesisht për shkak të rritjes së dëmeve në produktet e sigurimit të jetës së debitorit dhe jetës në grup.

 

ndërsa në tregun e jo-jetës rritja ishte 12.1%. Një rënie të fortë për janarin pësuan dëmet e paguara ka kompanitë si sigurues të drejtpërdrejtë (për produktin TPL) dhe për ato të fondit të kompensimit.

 

Sipas produkteve të jo-jetës, në muajin janar rritje të fortë shënuan dëmet e paguara për sigurimet e detyrueshme motorike, me 30.3% më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për shumicën e produkteve të tjera dëmet pësuan rënie. /Monitor(https://monitor.al/sigurimet-e-detyrueshme-e-ngriten-tregun-ne-rritje-dyshifrore-per-janarin/)


Më të lexuarat