Statusi i Investitorit strategjik, hyjnë në fuqi kriteret e reja për zonat bregdetare
Investitorët që duan të injektojnë në ekonominë shqiptare më shumë se 50 milionë euro përfitojnë statusin e veçantë të “investitorit strategjik”.
Investitorët që duan të injektojnë në ekonominë shqiptare më shumë se 50 milionë euro përfitojnë statusin e veçantë të “investitorit strategjik”, pavarësisht se projektet e propozuara nuk janë në një nga sektorët strategjikë të përcaktuar nga qeveria.
Ndryshimet ligjore në ligjin e investimeve strategjike janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyjnë në fuqi në mesin e muajit Mars.
Sipas ligjit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) kryen verifikimin kadastral në bashkëpunim me organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, me qëllim marrjen e informacionit lidhur me pasuritë e paluajtshme të propozuara për zhvillim, si dhe përdorimin aktual ose të planifikuar të tyre.
Ky verifikim përfshin pa u kufizuar në evidentimin nëse këto pasuri janë objekt i procedurave administrative të kthimit ose kompensimit të pronës; objekt i një procesi gjyqësor për titullin e pronësisë; objekt i procedurave administrative të legalizimit; objekt brenda rrjetit të zonave të mbrojtura; objekt me status “monument kulture”, “zonë historike” dhe sipërfaqe me status “zonë arkeologjike”.
Në rast se pas këtij verifikimi rezulton se projekti është i mundshëm për t’u realizuar, subjekti investues vijon me procedurat e mëtejshme për dorëzimin e projektit të investimit të shoqëruar me dokumentacionin e plotë mbështetës ligjor, teknik dhe financiar.”.
Ligji ka ndryshuar sa i takon edhe lejimi i përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve, lumenjve si stacione plazhi, në funksion të realizimit të një projekti investues strategjik në fushën e turizmit. Tashmë vendimi që i hap dritën jeshile një investimi strategjik do të Komitetit të Investimeve Strategjike, ndërsa më parë merrej nga Këshilli i Ministrave.
Afati kohor i lejimit të përdorimit, sipas ligjit, nuk mund të jetë më shumë se 30 vjet, ndërsa tarifa që aplikohet për lejimin e përdorimit të brigjeve përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak.
Në çdo rast, gëzimi i përdorimit të brigjeve të deteve, liqeneve dhe lumenjve si stacione plazhi fillon efektet pas vënies në funksion të strukturës akomoduese turistike. Afati për aplikime për statusin e investimit apo investitorit strategjik, nga i cili përfitohen shumë lehtësi, është shtyrë deri më datë a 31 dhjetor 2026./Scantv