
Paralizohet Greqia: Sot protesta në gjithë vendin, doganierët grekë në grevë
Në gjithë Greqinë janë thirrur protesta ndërsa sot shënohen 2 vite nga tragjedia e përplasjes së dy trenave në aftësi të Larisës.
Përplasja fatale e 28 shkurtit 2023 u mori jetën 57 personave, mes tyre edhe 6 shqiptarë.
Protestat pritet të shtrihen në gjithë vendin me thirrjet për drejtësi. Në shenjë mbështetjeje, një pjesë e madhe e dyqaneve dhe hoteleve do të qëndrojë e mbyllur ditën e sotme. Familjarët e viktimave i kanë bërë thirrje publikut që të marrë pjesë në tubim.
Tragjedia u përkujtua edhe nga Kuvendi, ku kryetari Nikitas Kaklamanis mbajti një fjalim përvjetor, ndërsa të gjithë deputetët mbajtën 1 minutë heshtje.
Në Athinë, tubimi do të fillojë në orën 11:00 me qendër në sheshin Sintagma, dhe në Selanik gjithashtu në orën 11:00. Protestat nga qytetarë grekë pritet të organizohen edhe në vende të tjera si në Bruksel, ku tubimi do të fillojë në orën 18:00 në Place Luksemburg përpara Parlamentit Evropian. Në Romë protesta do të zhvillohet pranë stacionit qendror të trenit, duke filluar nga ora 16:00, ndërsa një protestë është parashikuar edhe në Londër.
Linjat janë pezulluar në të gjithë rrjetin hekurudhor, duke përfshirë hekurudhën periferike të Athinës. Shërbimet e metrosë për dhe nga aeroporti i Athinës nuk do të funksionojnë gjatë gjithë ditës. Fluturimet e aeroportit do të anulohen ose shtyhen dhe do lejohen vetëm fluturime për emergjenca shëndetësore apo fluturime të krerëve të shtetit.
Sindikata e Taksistëve të Atikës (SATA) u ka bërë thirrje taksistëve që qytetarëve që duan të marrin pjesë në protestë t’ua ofrojnë lëvizjen me taksi falas.
Si ndodhi ngjarja
Përplasja tragjike e dy trenave kokë më kokë, trenit të mallrave dhe trenit të pasagjerëve në afërsi të Larisës, u mori jetën 57 personave. Treni Intercity 62 i linjës Athinë-Selanik po kalonte pranë stacionit të Larisës pak para orës 23:00 të së martës (28 shkurt) , me 341 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 13 anëtarësh.
Pak minuta më vonë, ndodhi tragjedia. Pavarësisht se linja hekurudhore Athinë-Selanik është e dyfishtë, treni i pasagjerëve u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, duke bërë që tre vagonët e parë të dilnin nga shinat dhe të përfshiheshin nga flakët.
Qarkullimi i makinave nga Shqipëria në drejtim të Greqisë përmes tre pikave kufitare në vend është pezulluar ditën e sotme, për shkak se doganierët grekë do të zhvillojnë grevë. Qarkullimi për mjetet është i ndaluar nga ora 07:00 deri në orën 23:00 dhe gjatë kësaj periudhë asnjë makinë nga territori shqiptar nuk do të lejohet të kalojë drejt territorit grek përmes tre pikave kufitare, Kakavijës në Gjirokastër, Qafë Botës në Sarandë dhe Tre urat në Përmet.
Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente.
Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura. /Shqiptarja
Më të lexuarat









