
Trump kërcënon me vendosjen e tarifave 25 për qind ndaj BE-së, reagon KE
Donald Trump kërcënoi se do të vendoste tarifa 25% për importet nga Bashkimi Europian, duke pretenduar se blloku ekonomik dhe politik u krijua “për të dëmtuar” SHBA-në.
Të mërkurën, gjatë takimit të parë të kabinetit të mandatit të tij të dytë në detyrë, Trump tha se detyrimet kundër Kanadasë dhe Meksikës do të hyjnë në fuqi më 2 prill dhe se masat tregtare do të përfshijnë një tarifë 25% për mallrat nga BE.
“Do ta shpallim shumë shpejt”, u tha ai gazetarëve. “Do të jetë një tarifë e përgjithshme 25%, dhe kjo do të jetë për makinat dhe të gjitha gjërat e tjera.”
Ai shtoi, “Ata vërtetë kanë përfituar prej nesh. Ata nuk i pranojnë makinat tona, nuk I pranojnë produktet tona bujqësore dhe ne pranojmë gjithçka prej tyre.”
Presidenti e ka bërë prioritet trajtimin e atyre, që ai i sheh si marrëdhënie të padrejta tregtare me një numër fqinjësh dhe partnerësh tregtarë më të afërt të SHBA-së, duke përmendur deficitet e vazhdueshme tregtare të SHBA-së – në të cilat importon më shumë mallra dhe shërbime sesa eksporton – si dëshmi për këtë.
Trump pretendoi, pa përmendur prova, se BE-ja ishte krijuar për të dëmtuar SHBA-në.
Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se BE-ja kishte një suficit tregtar prej 155.8 miliardë eurosh me SHBA-në për mallra në vitin 2023, por pati një deficit prej 104 miliardë eurosh për shërbimet.
Makineritë dhe automjetet përbëjnë pjesën më të madhe të eksporteve të BE-së në SHBA sipas grupit të produkteve, të ndjekura nga kimikatet, mallrat e tjera të prodhuara dhe produktet medicinale dhe farmaceutike.
Tarifat për importet e BE-së ka të ngjarë të përkthehen në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë, ndërsa ekonomistët paralajmërojnë tashmë për ndikimin potencial inflacioniste të detyrimeve të importit.
Europa tronditet përsëri
Tregjet europiane po shkojnë drejt një hapjeje shumë më të ulët dhe kërcënimi i tarifave të Trumpit ka tronditur BE-në, e cila më parë ka kërcënuar t’u përgjigjet masave në një “mënyrë proporcionale”.
Komisioni Europian, organi ekzekutiv i BE-së, iu përgjigj komenteve të Trump duke u zotuar të “reagojë me vendosmëri dhe menjëherë kundër barrierave të pajustifikuara ndaj tregtisë së lirë dhe të ndershme, duke përfshirë kur tarifat përdoren për të sfiduar politikat ligjore dhe jodiskriminuese”.
Duke reaguar ndaj pretendimeve të Trump për origjinën e BE-së, Komisioni vuri në dukje se:
“Bashkimi Europian është tregu i lirë më i madh në botë. Dhe kjo ka qenë ndihmë për Shtetet e Bashkuara. Duke krijuar një treg të vetëm të madh dhe të integruar, BE-ja ka lehtësuar tregtinë, ka ulur kostot për eksportuesit amerikanë dhe ka harmonizuar standardet dhe rregulloret në 27 vende. Si rezultat, investimet e SHBA-së në Europë janë shumë fitimprurëse”, tha Komisioni.
BE-ja i kërkoi SHBA-ve të punojnë me të “për të ruajtur këto mundësi për njerëzit dhe bizneset tona. Jo kundër njëri-tjetrit.”
Perspektiva e tarifave nuk është e re, pasi Trump tashmë ka kërcënuar BE-në dhe Britaninë e Madhe me taksa. Megjithatë, udhëheqësi i Shtëpisë së Bardhë kishte sinjalizuar më parë se mund të arrihet një marrëveshje me Britaninë, e cila ka një marrëdhënie tregtare shumë më të ekuilibruar me SHBA-në./Monitor(https://monitor.al/trump-kercenon-me-vendosjen-e-tarifave-25-ndaj-be-se-reagon-ke/)
Më të lexuarat








