INSTAT: Rreth 1 miliard euro ndërtime të reja në vitin 2024
Sektori i ndërtimit përjetoi një “bum” gjatë vitit të kaluar sipas shifrave më të fundit, ndërkohë që ka qenë një kontribues i rëndësishëm i rritjes ekonomike.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se lejet e dhëna për ndërtim kanë arritur vlerën e 106.4 miliard lekëve në total në vitin 2024, ose 1 miliard euro, nga 89.6 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2023, duke shënuar një rritje prej 18.8%.
Gjatë vitit 2024, janë miratuar gjithsej 1,336 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1,602 leje ndërtimi të miratuara në vitin 2023, duke shënuar një rënie prej 16.6%.
Vetëm përgjatë tremujorit të katërt janë miratuar gjithsej 317 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 303 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 4.6%.
Edhe pse me rënie të lejeve, sipërfaqja është rritur ndjeshëm. Ndërkohë, nga ana tjetër, gjatë vitit 2024, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.49 milionë metra katrorë, nga 2.11 milionë metra karorë miratuar në vitin 2023, duke shënuar një rritje prej 18.1%.
Ajo që vihet re nga të dhënat është Tirana si qarku me peshën më të lartë në këto shifra. Numri i lejeve të ndërtimit në kryeqytet u vlerësua në 494 leje, më një sipëfaqe prej 1.9 milionë metra katrorë./Scantv