Secondary Adv

Destinacionet më të mira europiane në 2025, Dhërmiu në vendin e 11-të

EBD ka zbuluar raportin e shumëpritur mbi vendet më të preferuara për t’u vizituar këtë vit në Europë , bazuar në një numër rekord votash nga më shumë se 1.2 milionë njerëz në 158 vende.


E krijuar duke analizuar mbi 500 destinacione, lista e re përfshin destinacione jo shumë të njohura, qytete bregdetare, vende me natyrë të mbrojtur, romantike, pushime në qytet, pushime familjare dhe ishuj ekskluzivë.

Njëzetë destinacionet më të mira europiane u zgjodhën për cilësinë e jetës, zhvillimin e qëndrueshëm, ofertën kulturore gjatë gjithë vitit, rritjen e popullaritetit në rrjetet sociale dhe njohjen e tyre ndërkombëtare.

Monako kryeson listën me 115,891 vota – 98% e tyre nga turistët ndërkombëtarë – duke e bërë atë destinacionin më të miratuar globalisht në historinë e konkursit.

Monaco

“Ky destinacion me pesë yje me diell mishëron gjithçka, që udhëtarët kërkojnë në vitin 2025: luks, natyrë, mirëqenie, gastronomi, konservim, aktivitete sportive dhe shopping,” shpjegoi EBD.

Riga, kryeqyteti i Letonisë, zuri vendin e dytë dhe u zgjodh gjithashtu si destinacioni më i mirë baltik, i ndjekur nga Dubrovniku dhe Cavtat në Kroaci, Madridi dhe Namur në Belgjikë në pesë vendet e para.

Riga, Letoni

Me Amsterdamin, Olhão në Portugali, Ascona në Itali, Bath në Angli, ishullin e qëndrueshëm luksoz grek Antipaxos dhe Seviljen në Spanjë ndër të tjera, përzgjedhja e vitit 2025, sipas EBD, “reflekton në mënyrë të përkryer dëshirat në zhvillim të udhëtarëve modernë – një përzierje e pushimeve ekskluzive, thesareve kulturore, vendeve romantike dhe me diell”.

Madrid, Spanjë

Nga rrugët madhështore të Madridit te ujërat kristal të Antipaxos, nga pasuria kulturore e Rigës te eleganca e Monakos, përzgjedhja e këtij viti dëshmon se Europa mbetet kontinenti më i larmishëm dhe magjepsës në botë për udhëtime.

Në vendin e njëmbëdhjetë është renditur Dhërmiu, i cilësuar nga EBD si “Parajsa e fshehur e Rivierës me diell, det dhe qetësi të Shqipërisë”.

Dhërmi, Shqipëri

Çfarë thotë EBD për Dhërmiun: “Vizitoni bukurinë e paprekur të Dhërmiut, në Shqipëri, një thesar i fshehur në Rivierën Shqiptare ku ju presin ujërat kristal, plazhet befasuese dhe hijeshia mesdhetare.”

“Relaksohuni në brigjet idilike si Dhërmiu dhe Drymades, vende perfekte për not, snorkeling ose shëtitje me varkë. Shëtisni në fshatin në kodë, me shtëpitë e tij tradicionale prej guri, pamjet mahnitëse të detit dhe kishat historike.”

Gjithashtu, rekomandon “të shijoni ushqime të freskëta deti, vaj ulliri vendas dhe shije shqiptare në tavernat buzë detit, si dhe të pushoni në baret elegante në plazh ose të shijoni festivalet verore me DJ ndërkombëtarë.

EBD e mbyll duke thënë se “Dhërmi është destinacioni perfekt mesdhetar”.

20 destinacionet më të mira europiane për vitin 2025 janë:

1. Monako
2. Riga, Letoni
3. Dubrovnik  dhe Cavtat, Kroaci
4. Madrid, Spanjë
5. Namur, Belgjikë
6. Amsterdam, Holandë
7. Olhao, Portugali
8. Ishulli Mljet, Kroaci
9. Lisbonë, Portugali
10. Antipaxos, Greqi
11. Dhermi, Shqipëri
12. Bath, MB
13. Folegandros, Greqi
14. Stamboll, Turqi
15. Eze, Francë
16. Ascona, Zvicër
17. Alesund, Norvegji
18. Cassis, Francë
19. Sevilje, Spanjë
20. Porto-Montenegro, Mali i Zi.

/Monitor(https://monitor.al/destinacionet-me-te-mira-europiane-ne-2025-dhermiu-ne-vendin-e-11-te/)


Më të lexuarat