Secondary Adv

Rama: Do të hapim një aeroport të ri në skajin jugor, do të jetë sezonal

Qeveria shqiptare po planifikon ndërtimin e një aeroporti të katër në skajin jugor. 

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Panairin e Turizmit në Berlin deklaroi se do të ndërtohet një aeroport sezonal, pasi ai i Korfuzit ka shumë mbingopje dhe ka një kërkesë shumë të madhe

 

“Shumë shpejt do të çelim në aeroport të ri dhe meqë ra fjala do të menaxhohet nga aeroporti i Mynihut. Kështu që, besojmë fort që ka hapësirë për më shumë, sepse aeroporti i kryeqytetit është ai që ka rritjen më të shpejt në Europë, por është i mbipopulluar tanimë. 

 

Imagjinoni 11 milion udhëtarë në një vend me 2.5 milion banorë, është një shifër e jashtëzakonshme. Aeroporti i ri që do të hapim këtë vit është më në jug dhe praktikisht u përgjigjet nevojave të turistëve që shkojnë drejt detit Jon dhe pjesës së jugut të vendit tonë, ku ka shumë për të parë.

 

Po kështu edhe ku janë për t’u zhvilluar resortet më luksoze me 5 yje. Kemi një tjetër aeroport në veri që është i vogël dhe po planifikojmë  një të katërt në skajin më jugor praktikisht përballë Korfuzit, sepse ka shumë mbingopje të aeroportit të Korfuzit dhe kemi kuptuar që ka një nevojë dhe kërkesë mjaft të madhe për të pasur një aeroport të vogël sezonal në skajin jugor.

 

Nga ana tjetër, kemi mjaft kompani ajrore që kanë ardhur dhe shumë të tjera që do të vijnë. Jemi në bisedime me aviacionin federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pasur fluturim të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së shpejti shpresoj shumë do të kemi edhe Katar Airways, po kështu kemi fluturime edhe nga Emiratet dhe Arabia Saudite. Kështu që, pak a shumë kur të doni të vini në Shqipëri ka shumë mënyra.

 

Po kështu, kemi një aeroport mjaft të lirë. Vite më parë ka qenë shumë i shtrenjtë, tani është një aeroport mjaft i lirë. Kështu që është shumë i lehtë për tu përdorur. Shumë njerëz nga rajoni vijnë në Tiranë që të fluturojnë nga Tirana dhe praktikisht është i vetmi aeroport në rajon që është i çelur 24 orë, 7 ditë të javës.

 

Gjatë verës nuk ka asnjë moment ndalese, ndërkohë që kemi vendosur atje një prej sistemeve më  moderne të kontrollit të pasaportave që bën të mundur që mos rrish në radhë, është tërësisht digjital.

 

Ka qenë nga aeroportet e para në Europë që kishte këtë sistem kontrolli pasaporte. Është sistem pa praninë e njeriut, thjeshtë vendos pasaportën dhe kalon. Kjo është panorama më e gjerë. Kemi po ashtu edhe linjën tonë ajrore që është ende e vogël, po kemi ambicien që të rritet më tej”, deklaroi Rama./Monitor(https://monitor.al/rama-do-te-hapin-nje-aeroport-te-ri-ne-skajin-jugor-do-te-jete-sezonal/)


Më të lexuarat