Secondary Adv

Të ardhurat buxhetore rritje vjetore 11.6 për qind në janar, shpenzimet mbeten problematike

Zhvillimet në buxhetin e shtetit vijuan të jenë pozitive në rritjen e të ardhurave në janar 2025, por shpenzimet vijojnë të shfaqin problematika në raport me planin.


Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat totale për muajin Janar 2025 arritën në rreth 60.8 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2025, arritën në rreth 45 miliardë lekë.

 

Të ardhurat totale, për muajin Janar 2025, arritën në rreth 60.8 miliardë lekë ose 97.2% e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, u mblodhën rreth 6.3 miliardë lekë ose 11.6% më shumë.

 

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat pa kontributet, për periudhën Janar 2025, janë në shumën 40.2 miliardë lekë. Krahasuar me Janar 2024, janë mbledhur 3.8 miliardë lekë ose 10.5% më shumë.

 

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 16.4 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë ose 9% më shumë se Janar 2024, dhe realizim sa plani i të ardhurave doganore për Janarin e vitit 2025.

 

Të ardhurat nga TVSH në import për muajin Janar janë 10.7 miliardë lekë, 837 milionë lekë ose 8.5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe realizim sa plani i periudhës.

 

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 4.9 miliardë lekë, 567 milionë lekë ose 13.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, si dhe realizim sa plani i akcizës muajin Janar 2025.

 

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 184 milionë lekë, sa e njëjta periudhë e një viti më parë dhe realizim sa plani i periudhës.

 

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 586 milionë lekë, me një realizim në masën 100% kundrejt planit.

 

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionalet), për Janarin 2025 u realizuan në masën 23.8 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 11.6% më shumë se muaji Janar i vitit të kaluar.

 

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 11.3 miliardë lekë, 2.9 miliardë lekë ose 34.2% më shumë se Janari 2024, dhe realizim sa plani i periudhës. 

 

Rimbursimet për periudhën Janar 2025 janë 710 milionë lekë, në përputhje me planin e periudhës.Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 626 milionë lekë.

 

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 7.1 miliardë lekë, 1.4 milardë lekë ose 25% më shumë se Janari 2024.

 

Taksat nacionale, për peridhën Janar 2025, u realizuan në masën 4.7 miliardë lekë, 397 milionë lekë ose 9.2% më shumë se Janari 2024 , si dhe 219 milionë lek ose 4.8% më shumë se plani për Janarin 2025.

 

Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH u realizuan në masën 16.2 miliardë lek, 1.5 miliardë lekë ose 9.8% më shumë se Janari 2024, si dhe realizim në masën 99.8% të planit.

 

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e parë të vitit 2025, arritën në rreth 45 miliardë lekë me një realizim në masën 89.7% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 ky zë ka rezultuar 15.1 për qind më i lartë ose rreth 5.9 miliardë lekë më shumë.

 

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 1 mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 5.5 për qind të planit vjetor.

 

Shpenzimet korente, për periudhën 1 mujore të vitit 2025, rezultuan në rreth 44.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 15.5% më i lartë ose rreth 6 miliardë lekë më shumë./Monitor(https://monitor.al/te-ardhurat-buxhetore-rritje-vjetore-11-6-ne-janar-shpenzimet-mbeten-problematike/)


Më të lexuarat