Secondary Adv

Turizmi malor, rrjet i ri elektrik në Bogë, BERZH hap tenderin

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për ndërtimin e rrjetit të ri elektrik në Aplet Shqiptare.

Fshati Bogë në Malësinë e Madhe konsiderohet si një nga destinacionet turistike malore më tërheqës, ndërsa rritja e interesit të vizitorëve ka shtuar nevojën për ndërtimin e një rrjeti të ri elektrik.

 

Në këtë kuadër, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për kompaninë që do të zbatojë punimet, si pjesë e projektit për ndërtimin e rrjetit të ri të shpërndarjes për të rritur aksesin në energji elektrike në Aplet Shqiptare.

 

Hapja e këtij tenderi vjen 1 javë pas lidhjes së kontratës me vlerë 2.3 mln euro, që gjithashtu ka në fokus investimet në rrjetin elektrik në zonën e Alpeve. Ndërhyrjet në rrjetin elektrik në Alpet e Shqipërisë do të kryhen në kuadër të projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri.

 

Projekti financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve, në masën e 40 mln euro, si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prej 60 mln euro. Ky projekt zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

 

Investimet në sektorin elektroenergjetik në zonat me potencial turistik kanë qenë në vëmendje së fundmi, duke marrë në konsideratë ngarkesën e shtuar në rrjetin elektrik për shkak të rritjes së numrit të përdoruesve.

 

Teksa, më së shumti këto investime janë përqëndruar në zonat bregdetare, potencali që ofron veriu i vendit në drejtim të zhvillimit të turizmit ka nxitur nevojën për investime edhe në këto zona. /Scan


Më të lexuarat