Lehtësohen procedurat ndërkufitare për bizneset, gati Dritarja e Vetme Kombëtare Për Doganat
Lehtësimi i një sërë procedurave ndërkufitare mes shteteve pritet të bëhet përmes ngritjes së asaj që quhet Dritarja e Vetme Kombëtare Për Doganat.
Me një projektligj të veçantë të nxjerrë për konsultim Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit sqaron këtë nismë duke nënvizuar efektet që pritet të ketë.
”Dritarja e Vetme Kombëtare Për Doganat, është një nismë e një rëndësie të veçantë, e cila do të ketë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e procedurave ndërkufitare për vitet në vijim, duke u parë kjo në kuadër të angazhimit politik të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Për këtë arsye, nisma për një ligj të ri për themelimin e DVKD, si dhe paketa e ndryshimeve të tjera ligjore që shoqërojnë dhe mbështesin funksionimin e sistemit, janë nisma largpamëse të cilat ndihmojnë në përgatitjen e terrenit të duhur ligjor, për anëtarësimin e vendit në BE dhe respektimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA)” sqarohet në relacionin që shoqëron këtë projektligj.
Por cilat janë efektet që synohen të arrihen përmes themelimit të kësaj Dritareje?
Relacioni sqaron se ai do të sjellë përfitime konkrete si për autoritetet kompetente bashkërenduese të cilat bashkëpunojnë me doganat, ashtu edhe për tregtarët apo operatorët ekonomikë të cilët kryejnë aktivitet në fushën e import-eksportit, duke garantuar:
– Administrim më të mirë të procedurave që ndiqen në kufi;
– Ulje të korrupsionit dhe aktiviteteve të tregtisë së paligjshme;
– Minimizim të kontakteve me personelin dhe reduktim të mundësive për mitdhënie;
– Lëvizje më të shpejtë të mallrave;
– Rritje të transparencës dhe llogaridhënies të autoriteteve publike të përfshira;
– Zhdoganim më të shpejtë i mallrave;
– Përdorim më efikas dhe produktiv të burimeve;
– Ulje të kostove, për të dyja palët e përfshira në këtë proces, përmes përmbushjes elektronikisht te formaliteteve doganore dhe jo-doganore etj.