
Subvencionet në bujqësi për 2025: Risi në skemë, ndryshojnë rregullat dhe për naftën
Qeveria ka miratuar kriteret e reja të Skemës Kombëtare të Subvencioneve në bujqësi për vitin 2025.
Skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi për 2025 do të përfshijë për herë të parë mbështetjen me subvencione për fermat e viçave me jo më pak se 10 krerë në masën 5,000 lekë për krerë.
Risia e skemës kombëtare të bujqësisë u sqarua nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj në një takim informal me gazetarët.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi me gazetarët për tematikat e sektorëve të bujqësisë, përfshirë financimin nëpërmjet garancisë sovrane që pritet të nisë së shpejti dhe masat që po merren për mbajtjen në kontroll të situatës me gripin e shpendëve etj.
Më tej drejtoresha e AZHBR-së znj. Ardita Kuçi tha se masat mbështetëse për vitin 2025 janë pothuajse të njëjta, por do të ketë një risi në mbështetje për blegtorinë.
“Përveç mbështetjes së lopëve dhe të imtave me vlerë financimi 10 mijë lekë për krerë, sivjet është përfshirë edhe mbështetja financiare për viçat.
Masa financiare për viçat do të jetë 5 mijë lekë për krerë. Minimumi i krerëve për përfitimin e masës mbështetëse do të jetë 10. Numri i tyre mund të jetë i kombinuar, duke përfshirë lopë dhe mëshqerra”, pohoi ajo.
Miratohet skema kombëtare e bujqësisë 2025
Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua skema kombëtare për bujqësinë 2025. Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural znj. Anila Denaj foli për risitë e skemës.
“Miratuam sot një vendim shumë të rëndësishëm për të gjithë fermerët dhe blegtorët, përcaktimin e kritereve bazë dhe masën e financimit për sektorët që do të mbështeten nga skema kombëtare e subvencioneve.
Skema kombëtare e subvencioneve. Fillon me një program marketingu se çfarë përfshin dhe afatin 2 mujor për aplikim. Skema konsiston më masat e financimit me një risi për të gjithë ata që mbarështojnë viça për majmëri.
Kjo mundëson të bashkohen më shumë fermerë për aplikim në skemën kombëtare. Ne vjet vendosëm një risi me skemën kombëtare të bujqësisë, që mundësonte 100% financim për fermerët e bashkuar, në një kontratë marrëveshje për prodhim dhe siguri.
Masa tjetër e skemës do të jetë mbështetja me financim për lopët 10 mijë lekë për krerë. Për viçat do të jetë 5 mijë lekë për krerë jo më pak se 10 krerë. Kjo masë vazhdon të jetë si një kufi që mbështet ekonominë e shkallës dhe nxit bashkimin.
Për bagëtitë e imta vijon e njëjtë masë financimi. Për bletarinë 1,000 lekë për koshere. Për prodhimet e serrave, masa është 200 mijë lekë për ha, por jo më pak se 1 ha.
Në fokus do të vijojnë të jenë edhe bimët medicinale që do të mbështeten financiarisht 30 mijë lekë për ha, por jo më pak se 1 ha të kultivuar.
Skema e subvencionit të naftës do të jetë e njëjtë si vjet, por do të rrisin masat për monitorimin”, pohoi Denaj.
Me skemën kombëtare të 2024-s, për herë të parë u aplikua edhe skema me subvencione në mbështetje të fermave me jo më pak se 10 krerë lopë në vlerën e 10,000 lekëve për krerë, dhe mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje.
Gjithashtu vijuan të mbështeten fermat organike në vitin e parë, në vlerën 100,000, në vitin e dytë dhe tretë 150,000 lekë dhe 200,000 për fermë të certifikuar.
Skemat subvencionuese të bujqësisë nisën zbatimin në vitin 2022, të cilat zëvendësuan heqjen e skemës së kompensimit 6% të TVSH-së te agroindustria, vendosjen e 10% të TVSH-së te inputet bujqësore nga zero që ishin më parë.
/Monitor (https://monitor.al/risia-e-skemes-kombetare-2025-do-mbeshteten-financiarisht-me-5-mije-leke-per-krere-fermat-me-vica/)
Më të lexuarat








