Secondary Adv

Skemat e reja të mbështetjes në bujqësi, kush përfiton dhe shumat e subvencioneve

Qeveria miratoi kriteret e reja për skemat e mbështetjes për fermerët dhe blegtorët.

Tani, pritet që AZHBR të hapë thirrjet për aplikime për subvencionet, pjesë e skemave kombëtare.

 

Për herë të parë, nisur edhe nga kriza që po përjeton sidomos vitit e fundit, blegtoria, Qeveria ka vendosur të mbështesë fermat e viçave. Kështu do të jepet pagesë direkte për gjedhët, në vlerën deri në 10 mijë lekë/krerë lopë/mëshqerrë dhe deri në 5 mijë lekë/krerë viça për fermer/aplikant, por me kushtit që të ketë të paktën 10 krerë gjedhe.

 

1 200 lekë/krerë për të imtat, për aplikantët  me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi. Sa i takon bletarisë do të jepen 1  mijë lekë për zgjua për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 zgjoje.

 

200 mijë lekë për ha për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha.

 

Në çdo rast nëse masa e përfitimit përgjysmohet për kalimin e kufirit të vendosur, për bashkimet e fermerëve, pagesat do të jepen në masën 100%. Në këtë mënyrë, ashtu si edhe herët e tjera, skemat janë motivuese për bashkimet e fermerëve, ose kooperativat. 

 

Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj, luleshtrydhe). Masa e përfitimit është në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 30 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.

 

Pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike, është në vlerën 30 mijë lekë/ha për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe 100-200 mijë lekë për fermat organike.

 

Sipas vendimit, fermerët do të përfitojnë pagesa cash për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi. Kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga skema e naftës, janë që të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës;  Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 ha, ndërsa madhësia e parcelave, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.

 

Për të përfituar nga skemat mbështetesë në bujqësi ose blegtori, fermerët ose blegtorët duhet të jenë të regjistruar dhe të formalizuar, të pajisur me NIPT. /Ekofin


Më të lexuarat