
Pagesat bankare nëpërmjet internetit arritën rekord në vitin 2024
Përdorimi i pagesave bankare në distancë (home banking) u rrit për të katërmbëdhjetin vit radhazi në 2024.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 9.36 milionë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22% ose me 1.7 milionë veprime më shumë. Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i transaksioneve të home banking është rritur me pothuajse 160%.
Ndërsa vlera totale e veprimeve të bankingut në distance për 2024 arriti në 2.39 trilionë lekë, në rritje me 19% krahasuar me një vit më parë.
Veprimet bankare në distancë janë transaksionet bankare që kryhen nëpërmjet internetit dhe aplikacioneve në telefonat celularë.
Kufizimet e lidhura me pandeminë dhe ngarkesa e degëve të bankave sollën një vëmendje më të madhe drejt mundësive të pagesave në distancë dhe ishin një moment shtyse të mëtejshme drejt pagesave eleketronike.
Tendenca rritëse e veprimeve nëpërmjet kanaleve dixhitale ka vijuar e qëndrueshme në të gjithë periudhën pas pandemisë.
Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri dhe numri i përdoruesve të shërbimit po rritet me ritme të shpejtë.
Në fund të vitit 2024, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në 1.35 milionë, në rritje vjetore me 23%.
Vlerësohet se tashmë 39% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 34% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2023 dhe më pak se 20% që ishte në vitin 2020.
Afërsisht 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve.
Numri i llogarive të lidhura me internetin për individët u rrit me 23%, ndërsa për llogaritë e bizneseve rritje ishte edhe më e lartë, me 26% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është nxitur edhe nga kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Ndërkohë, për shumat më të mëdha transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave.
E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave./Monitor(https://monitor.al/pagesat-bankare-nepermjet-internetit-arriten-rekord-ne-vitin-2024/)
Më të lexuarat









