Raporti i kredive me probleme e nisi me rënie të mëtejshme vitin 2025
Raporti i kredive me probleme e nisi me një rënie të mëtejshme vitin 2025.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për janarin ky tregues ra në 4.12%, nga 4.17% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Raporti i kredive me probleme vazhdon të lëvizë gjithashtu në rënie me bazë vjetore. Në janar të vitit të kaluar, ky tregues kishte qenë në nivelin 4.88%. Me rënien e mëtejshme të janarit, raporti i kredive me probleme arriti një nivel të ri më të ulët historik në më shumë se 16 vjet.
Ekonomia shqiptare po karakterizohet nga ritme relativisht të larta të rritjes, e mbështetur sidomos nga ecuria e mirë e sektorëve të lidhur me turizmin dhe pasuritë e paluajtshme.
Kjo e ka ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të sektorit privat të ekonomisë. Nga ana tjetër, një rol të rëndësishëm në uljen e raportit të kredive me probleme po luan edhe zmadhimi i portofolit total të kredisë.
Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të janarit arriti vlerën e 840.9 miliardë lekëve. Portofoli i kredisë u rrit me më shumë se gjashtë miliardë lekë krahasuar me fundin e vitit 2024.
Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë ishte në rritje me 13.5%, duke ruajtur ritme të ngjashme të rritjes me ato të fundit të vitit të kaluar.
Raporti i kredive me probleme po pësuar një rënie të lehtë edhe në vlerë absolute. Totali i kredive me probleme në fund të 2024 vlerësohet në afërsisht 34.6 miliardë lekë, nga 34.8 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit 2024 dhe rreth 35.3 miliardë lekë që kishte qenë një vit më pare.
Edhe vitit 2024 solli një vazhdimësi të tendencës disavjeçare rënëse të raportit të kredive me probleme, por megjithatë rritja e shpejtë e kredisë, veçanërisht në sektorin e pasurive të paluajtshme ka ngjallur shqetësim te Banka e Shqipërisë. Vitin e kaluar, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të indvidëve dhe bizneseve u rrit përkatësisht me 15.5% dhe 17.4%.
Të marra së bashku, këto portofole përbanë afërsisht gjysmën e vlerës totale të kredisë të dhënë nga sektori bankar vend.
Vitin e kaluar, Banka Qendrore vendosi të aplikojë për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.
Fillimisht, raporti i kërkuar i mjaftueshmërisë së kapitalit u rrit me 0.25% në muajin qershor, ndërsa në dhjetor Guvernatori Sejko vendosi një rritje të dytë, duke çuar shtesën kundërciklike në nivelin 0.5%./Monitor(https://monitor.al/raporti-i-kredive-me-probleme-e-nisi-me-renie-te-metejshme-vitin-2025/)