
Tregu i obligacioneve të shoqërive tregtare arriti në 290 milionë euro në 2024
Vlera e obligacioneve të shoqërive tregtare arriti një rekord të ri për vitin 2024.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i obligacioneve me ofertë private, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në rreth 28.5 miliardë lekë ose gati 290 milionë euro. Vetëm për vitin e kaluar, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 8 miliardë lekë ose 39%.
Duke shtuar edhe obligacionit e parë me ofertë publike, të emetuar në vitin 2023 nga institucioni financiar NOA, vlera totale e titujve të borxhit të korporatave ka arritur tashmë në rreth 29 miliardë lekë.
Afërsisht 66% e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj dhe pesha e tyre është në nivele të përafërta krahasuar me një vit më parë. Të detajuara sipas monedhave, 34.1% e obligacioneve private janë të emetuara në lekë, 63.9% e obligacioneve janë në euro dhe 2.1% në dollarë amerikanë.
Pesha e obligacioneve në euro është rritur krahasuar me një vit më parë, ndërsa ajo e atyre në dollarë amerikanë ka pësuar rënie. Megjithatë, kjo rënie është e lidhur edhe me zhvlerësimin e këtyre monedhave në kursin e këmbimit ndaj lekut, zhvlerësim që vijoi edhe gjatë vitit 2024.
Dominimi i Euros edhe në strukturën e obligacioneve me ofertë private lidhet me sasinë e madhe të kursimeve në monedhën europiane të mbajtura nga publiku shqiptar, por edhe norma interesi më të favorshme për emetuesit. Duke qenë se tregu i brendshëm financiar nuk ofron shumë alternativa për monedhën europiane, emetuesit kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të thithur likuiditetin e lirë në treg.
Në vitet e fundit, depozitat bankare në Euro kanë shënuar një rritje të shpejtë, duke zgjeruar tepricën e likuiditetit në monedhën europiane.
Emetuesit e obligacioneve kanë joshur depozituesit për t’i investuar një pjesë të këtyre kursimeve në obligacionet e tyre, duke ofruar norma më tërheqëëse interesi se depozitat.
Për këtë arsye, investitorët i kanë parë si një mënyrë e mirë për të diversifikuar investimet e tyre dhe për të siguruar kthime më të kënaqshme.
Emetues të obligacioneve korporative janë në pjesën dërrmuese bankat dhe institucionet financiare. Bankat i kanë përdorur këto instrumente sidomos në funksion të nevojës për të rritur kapitalin rregullator.
Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.
Në vitet e fundit, bankat janë përballur me një rritje graduale të kërkesa për kapital, me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit dhe të kuadrit rregullator plotësues, i lidhur me skemën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Këto kërkesa të reja i kanë dhënë një shtysë edhe më të fortë rritjes së përdorimit të obligacioneve me ofertë private.
Në mënyrë më sporadike, edhe kompani jashtë sektorit financiar e kanë përdorur emetimin e obligacioneve si një formë alternative të huamarrjes./Monitor(https://monitor.al/tregu-i-obligacioneve-te-shoqerive-tregtare-arriti-ne-290-milione-euro-ne-2024/)
Më të lexuarat








