Frenohet rritja e të ardhurave nga shitjet në ndërtim në 2023
Të dhënat finale mbi treguesit ekonomikë të ndërmarrjeve në vitin 2023 tregojnë se të ardhurat nga shitjet në sektorin e ndërtimit frenuan ritmet rritëse.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, të ardhurat nga shitjet neto në bizneset e ndërtimit ishin 30.3 miliardë lekë (300 milionë euro) në vitin 2023 me rritje vjetore 2.9%, teksa një vit parë (2022) të ardhurat nga shitjet ishin 12% më të larta se më 2021.
Në vitin 2023, të ardhurat në bizneset e ndërtimit shënuan rënie me 9.5% në krahasim me vitin 2021.
Pas pandemisë, struktura e ekonomisë ka ndryshuar duke rritur përqendrimin në sektorin e ndërtimit dhe në atë të shërbimeve, teksa po tkurren sektorët prodhues si bujqësia dhe industria e përpunimit, sidomos sektori fason.
Rënia e të ardhurave në bizneset e prodhimit për eksport nga zhvlerësimi i euros ka rritur edhe më tej përqendrimin e bizneseve në ndërtim. Dhjetëra biznese që qepnin këpucë dhe veshje për eksport kanë mbyllur fabrikat dhe ndërtojnë pallate.
Ngadalësimi i mundshëm i sektorit të ndërtimit e rrit sferën e rreziqeve për perspektiven ekonomikë. Sidomos pas vitit 2020 rritja e PBB -së është gjeneruar nga zgjerimi i ndjeshëm i aktivitetit ekonomik në sektorin e shërbimeve dhe atë të ndërtimit.
Në vitin 2023, sektori i ndërtimit u rrit me 8.5% dhe në 9-mujorin e 2024 me 8.1%. Ministria e Financave pret që në periudhën afatmesme 2026-2028 sektori i ndërtimit të ngadalësojë ritmet e rritjes me rreth 3%.
Të ardhurat nga shitjet në bizneset e ndërtimit nisën të rriten në vitin në 2019 duke pësuar rritje vjetore me 85%. Pavarësisht se popullsia e vendit në këtë periudhë po tkurrej me shpejtësi nga valët e forta të azilit ekonomik që nisën në vitin 2015, nga ana tjetër u shfaq një kërkesë e lartë për banesa që u shoqërua edhe me leje të shumta sidomos në kryeqytet dhe në bregdet.
Si rrjedhojë e kërkesës së lartë, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Aktualisht, Shqipëria është vendi më i varfër i Europës dhe ka ekspozimin më të lartë të sektorit të ndërtimit në kontinent. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi kontribuoi me 11.2% të vlerës së shtuar bruto, ndërsa në BE, ky sektor kontribuoi me 5.5%.
Pas Shqipërisë, ndërtimi ka peshë të lartë në ekonominë e Kosovës, me rreth 10% të vlerës së shtuar, kjo për shkak se shumë kompani ndërtimi nga Shqipëria po ndërtojnë në Kosovë.
Sektori i ndërtimit vuan nga informaliteti i lartë, i cili duket se është rritur më tej vitin e kaluar. Studimet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerësojnë se ndërtimi është sektori me informalitetin më të lartë nga sektorët jobujqësorë, me rreth 60%.