Secondary Adv

205 mln lekë për pastrimin e bregdetit, hapet tenderi në prag të sezonit turistik

Ndërsa sezoni turistik është vetëm dy muaj larg, Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur tenderin për pastrimin e plazheve nga veriu në jug.

Sipas dokumenteve të tenderit, shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për bashkitë Shkodër, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë dhe Sarandë”, e ndarë në lote si më poshtë:

 

Loti 1: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkinë Shkodër;

 

Loti 2: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë Fier;

 

Loti 3: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë.

 

Vlera e fondit limit është 205,461,400.89 (dyqind e pesë milion e katërqind e gjashtëdhjetë e një mijë e katërqind pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë, pa tvsh.  Loti 1: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për bashkinë Shkodër, me fond limit 21,364,622.98  lekë;  Loti 2: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, me fond limit 101,102,469.99 lekë pa tvsh; Loti 3: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për bashkitë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, me fond limit 82,994,307.92 lekë pa tvsh;

 

Për të kryer këto shërbime, nevojiten rreth 554 punëtorë të cilët do të punojnë për 93 ditë nga 5.7 orë në ditë secili.

 

Përveç kushteve të tjera në termat e referencës, operatorët ekonomikë duhet të paraqesin një deklaratë me anë të së cilës marrin përsipër të sigurojnë paisjen e punonjësve me mjete pune, sipas specifikimeve teknike, me shpenzimet e veta, për të mundësuar kryerjen me cilësi të shërbimit.

 

Gjithashtu duhet të paraqesin një deklaratë, me anë të së cilës marrin përsipër se shërbimi, objekt prokurimi do të kryhet nga Punonjës të pajisur me uniforma dalluese pune fosforeshente, duke qenë se janë të ekspozuar ndaj lëvizjes së automjeteve apo aksidenteve të mundshme rrugore.

 

Kërkesa tjetër e domosdoshme është pajisja me certifika ISO  për “Sistemi i menaxhimit të cilësisë” për të siguruar zbatimin e procedurave të qarta për pastrimin e zonave bregdetare, në përputhje me rregulloret dhe ligjet mjedisore.   

 

Pajisja me këtë standard është e rëndësishme sepse siguron që ofertuesi ka sisteme të qarta për identifikimin dhe minimizimin e ndotjes gjatë pastrimit të zonave përkatëse, grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve sipas praktikave më të mira mjedisore, reduktimin e ndikimit negativ në ekosistemin bregdetar dhe biodiversitetin, thuhet në dokument.

 

Gjithashtu operatorët duhet të jenë të pajisur me certifikatën ISO për “Sistemet e menaxhimit të shëndetit dhe sigurisë në punë”.  Operatori ekonomik i pajisur me këtë standard krijon siguri për Autoritetin Kontraktro  se ka një sistem të strukturuar për identifikimin e rreziqeve që mund të ndodhin në vendin e punës, parandalimin e përhapjes së sëmundjeve te punonjësit për shkak të ekspozimit ndaj mbetjeve të rrezikshme, temperaturave të larta, e faktorë të tjerë që mund të ndikojnë gjatë realizimit të shërbimeve objekt prokurimi, dëmtimeve nga mjetet që do të përdoren për kryerjen e shërbimeve, etj.

 

Gjithashtu, ofertuesit e pajisur me këtë standard garantojnë marrjen e masave për parandalimin e diskriminimit social dhe gjinor, shkeljeve të ligjit nga punonjësit, shfrytëzimit të punonjësve, punën e detyruar apo punësimin e të miturve. /ekofin.al


Më të lexuarat