
Tragjedia në Maqedoni: Qytetarët në protestë, jep dorëheqjen kryetari i Koçanit
Të paktën 59 persona kanë vdekur në Koçan dhe 155 të tjerë mbetën të plagosur, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në një klub nate.
Pas tragjedisë së ndodhur qeveria në një mbledhje të jashtëzakonshme shpalli shtatë ditë zie.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski paralajmëroi se do të ketë përgjegjësi penale për të gjithë autorët e përfshirë. Ndërkohë, Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski tha se zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike.
Drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski, informoi sot se nga të lënduarit, 90 prej tyre ndodhen në spitalet në vend, ndërsa 44 janë pranuar në spitale jashtë vendit. Ndërkohë tetë të tjerë priten të dërgohen për mjekim në Kroaci dhe në Rumani.
Ashtu siç kishin paralajmëruar qyetarët me pankarta në duar kanë nisur protestën për vdekjen e të rinjve.
Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga detyra pas aksidentit tragjik në Koçan ku humbën jetën 59 persona.
“Kjo humbje është e madhe! Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes. Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë në errësirë Koçanin dhe Maqedoninë, dhe boshllëku që ka mbetur është i padurueshëm”, ka shkruar Papazov në Facebook.
Ai kërkon nga institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke shtuar se është plotësisht në dispozicion të institucioneve.
Zjarri ra rreth orës 03:00 të mëngjesit të 16 marsit. Në diskotekë ishin rreth 500 të rinj, duke ndjekur një performancë nga bendi maqedonas DNA, një grup i famshëm vendas. Në mesin e viktimave janë edhe 4 anëtarë të këtij grupi.
Mbi 15 persona janë arrestuar e disa të tjerë janë shoqëruar në lidhje me zjarrin. Në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të festës në klubin e natës, por edhe përfaqësues institucionesh si ish sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Razmina Çekiç.
Bullgaria ka shpallur 18 marsin ditë zie për tragjedinë në Koçan.
“Qeveria do të vendosë që nesër të jetë ditë zie si shprehje solidariteti me fqinjin tonë të ngushtë në Ballkan”. Këtu nuk ka politikë, vetëm dhembshuri dhe ndjeshmëri”, tha kryeministri Rosen Zheljazkov, teksa shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
Më tej Zheljazkov ka nënvizuar se Bullgaria është në gaditshmëri për të trajtuar të lënduarit.
“Në spitalet tona në Sofje, Plovdiv dhe Varna aktualisht ndodhen 14 shtetas të RMV-së. Shpresoj që organizata që kemi krijuar do të vlerësohet, por nuk është koha të përpiqemi të theksojmë rolin tonë, sepse në momente të tilla është e rëndësishme të tregojmë solidaritet në kohë, jemi të gatshëm të pranojmë më shumë njerëz, por kjo do të varet nga kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut, ne jemi në kontakt ekzistues”, tha Zheljazkov, duke shtuar se janë krijuar kushte edhe për familjarët e viktimave në Bullgari.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë së Bullgarisë ka informuar se 14 të plagosurit që po trajtohen janë në gjendje të rëndë. Pacientët variojnë nga mosha 15 deri 31 vjeç.
Çfarë dihet deri më tani për ngjarjen e rëndë?
Informacionet e para janë se vendi ku është organizuar festa fatale për të rinjtë nuk ka pasur kushte sigurie dhe nuk ka qenë adekuate për pranimin e aq numrit të njerëzve, rreth 500.
Sipas gjetjeve fillestare, zjarri u shkaktua nga xixëllonja/spërkatës të përdorura për efekte vizuale skenike, të cilat ndezën pjesën e çatisë prej materiali të ndezshëm” trarë druri”.
Ka folur edhe Marija Taseva, 20 vjeçare, prezente në diskotekë e cila ka thënë: “Të gjithë filluan të vrapojnë jashtë. Të gjithë po përpiqeshin të shpëtonin. Motra ime ka humbur. Nuk mund ta gjejmë në asnjë spital. Tani presim këtu rezultatet për të parë nëse do ta gjejmë, nëse jo, përfundimisht në Shkup. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe të tjerët më shkelnin, thjesht me faqe isha në tokë”, tha Taseva.
Në konferencën e dytë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se deri më tani numri i viktimave nga tragjedia në klubin e natës në Koçan ka arritur në 59, ndërsa të lënduarve në 155. Në mesin e viktimave, është edhe një zyrtar policor, i cili natën e kobshme ka qenë në detyrë për të zbuluar drogë dhe persona të mitur në klubin e natës.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim me Qendrat Ndërkomunale për Punë Sociale në Koçan dhe Shtip, kanë vënë në dispozicion ekipe profesionale për ndërhyrje në krizë, ndihmë dhe mbështetje psikosociale për familjet e të ndjerëve dhe të lënduarve.
“Këto ekipe, të përbëra nga psikologë, punonjës socialë dhe profesionistë të tjerë, janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje të menjëhershme dhe afatgjatë për të gjithë ata që po përballen me dhimbjen dhe pasojat e këtij rasti të rëndë.” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Politikës Sociale.
Pasdite vonë u konfirmua se në mesin e viktimave në tragjedinë e Koçanit janë edhe 5 anëtarë të grupit muzikor DNK. Filip Stefanovski, Gjorgi Gjorgiev, Sara Projkovska dhe Andrej Gjorgievski 4 anëtarët e grupit muzikor DNK si dhe fotografi i grupit Aleksandar Efremov humbën jetën në tragjedinë e mbrëmshme në diskotekën PULS në Koçan. Lajmin e bënë të ditur anëtarë të grupit DNK të cilët para pak çasteve, publikuan fotografitë e anëtarëve të tyre.
Në këtë ngjarje tragjike jetën humbi edhe futbollisti i Klubit Shkupi. Bëhet fjalë për Andrej Llazarovin. Nga klubi Shkupi në rrjetin social Facebook shkruajnë se kjo është një humbje e madhe për klubin dhe shokët e ekipit, ndërsa shtojnë se shoku i tyre, ka humbur jetën duke luftuar për të shpëtuar njerëzit që në momentin e zjarrit tentonin të largoheshin.
Objekti i djegur në Koçan sipas të dhënave publike të Kadastrës ka hapësirë të përgjithshme rreth 360 metra katrorë në një parcelë prej gjithsej 970 metra katrorë. Fletëpronësia, sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës evidentohet në emër të Millkovski Andon Grozdan, megjithatë nuk dihet nëse emri që figuron në fakt është edhe pronari i objektit.
Prej të dhënave të deritanishme, objekti ka pasur dy hyrje-dalje, një kryesor, ndërsa një të cilin e kanë përdorur stafi dhe personat VIP. Informacionet tona flasin se klubi ka funksionuar me licencë të falsifikuar e cila mbante firmën e ish sekretares shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Razmena Çekiç Duroviç. Funksionin e sekretares shtetërore, Duroviç e ka ushtruar gjatë kohës që me ministrinë ka udhëhequr Kreshnik Bekteshi.
Në një konferencë tjetër Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski deklaroi diskoteka nuk kishte licensë dhe se sipas tij do të ketë përgjegjësi. Ministri Toshkovski, tha po ashtu se në koordinim me Prokurorinë Publike, kanë më shumë se 20 persona të dyshuar rreth ngjarjes në Koçan.
Në mesin e të arrestuarve bën pjesë edhe ish-sekretarja shtetërore e ministrisë së Ekonomisë, është njëra ndër të ndaluar në lidhje me tragjedinë në Koçan. Bëhet fjalë për Razmina Çekiç nga LSDM, e cila sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e njëjta ka falsifikuar licencën për punë dhe licenca që i është dhënë vitin e kaluar ka skaduar, por e njëjta ka nënshkruar licenca të falsifikuara.
Mediat maqedonase raportojnë se në stacionin policor në Karposh në Shkup, në pyetje po merret edhe ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Kjo sa i përket dhënies së licencave jolegale ndaj objektit në fjalë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paraprakisht informoi se MPB-ja në koordinim me Prokurorinë Publike deri më tani për këtë ngjarje janë të dyshuar mbi 20 persona, prej të cilëve 15 janë në stacion policor.
Qeveria e RMV nisi seancën e sotme me një minutë heshtje për të nderuar personat që humbën jetën tragjikisht pas djegies së diskotekës në Koçan. Në seancën e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike në komunën e Koçanit, ku 59 persona humbën jetën ndërsa 155 persona morën lëndimet të rënda, qeveria mori vendim për shpalljen e 7 ditëve zie në mbarë vendin.
Gjithashtu, në seancën e Qeverisë u mor vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike (klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura) në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njoftojë menjëherë Qeverinë për konstatimet e inspektimit në tre ditët e ardhshme, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet.
Sakaq mësohet se janë tërhequr të gjithë trupat e viktimave nga diskoteka e djegur në Koçan.
Situata u bë edhe më e rëndë, kur familjarët e viktimave ishin duke pritur të marrin informacione për më të dashurit e tyre, pasi që, është dhënë shifra zyrtarë për 59 të vdekur, mirëpo familjarët ende nuk e dinë se a i kanë apo jo gjallë më të dashurit e tyre. Dhe kërkojnë që t’i tërheqin ata.
Më vonë situata u përshkallëzua edhe më shumë kur familjarët vazhdonin të qëndronin në oborrin e Spitalit në Koçan duke kërkuar që të afërmit e tyre (viktimat) të mos dërgohen për autopsi.
Situata nuk ishte më e lehtë as në spitalet tjera, aty ku rreth 115 pacientë po trajtohen nëpër klinikat e vendit, 22 pacientë tashmë kanë arritur në klinikat jashtë vendit, ndërsa 6 janë në udhëtim për të arritur për shërim jashtë shtetit, ndërsa planifikohet 47 pacient gjithsej të dërgohen jashtë shtetit. /Shqiptarja
Më të lexuarat








