
Fitimi i shoqërive administruese të fondeve të investimit u rrit me 41 per qind vitin e kaluar
Fitimi i shoqërive administruese të fondeve të pensionit dhe investimit iu kthye rritjes në 2024, pas dy viteve radhazi në rënie.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për vitin e kaluar gjashtë shoqëritë administruese të fondeve arritën një rezultat të përbashkët në vlerën e 68.2 milionë lekëve, në rritje me 41% krahasuar me vitin 2023.
Burimi kryesor i të ardhurave të shoqërive administruese është tarifa për fondet që ato menaxhojnë. Kjo tarifë aplikohet në formën e një përqindjeje fikse mbi vlerën e aseteve të fondeve të administruara. Një rritje e aseteve të fondeve përbën premisë edhe për zgjerimin e bazës së të ardhurave të shoqërive administruese.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të fondeve të investimit në fund të vitit të kaluar arritën në 61.4 miliardë lekë. Vlera neto e aseteve është rritur me 22% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa vlera neto e aseteve të fondeve të pensioneve arriti në 6.8 miliardë lekë, në rritje me 18% krahasuar me një vit më parë.
Pothuajse gjysmën e fitimit të tregut edhe vitin e kaluar e siguroi shoqëria më e madhe administruese, Raiffeisen Invest. Për vitin 2024, ajo arriti një fitim neto prej 33 milionë lekësh, në rënie me 11% krahasuar me një vit më parë.
Megjithëse fitimi para tatimit shënoi rritje me 14% krahasuar me një vit më parë, rënia e fitimit erdhi kryesisht për shkak të një pagese të lartë të tatimit mbi fitimin. Kjo mund të lidhet me shpenzime të panjohura ose me pagesë tatimi të shtyrë nga vitet e mëparshme.
Rezultati i Raiffeisen Invest ngelet përcaktues në ecurinë e tregut, duke qenë se kjo kompani administron pjesën dërrmuese të aseteve të fondeve të investimit dhe pensionit. Raiffeisen Invest administron fondet e investimit Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion, Raiffeisen Invest, Raiffeisen Mix dhe fondin e pensioneve Raiffeisen Pension. Ato përbëjnë rreth 80% të aseteve totale të menaxhuara nga fondet e investimit dhe pensionit, çka i jep Raiffeisen Invest dominim edhe në strukturën e të ardhurave dhe të fitimeve të tregut.
Fitimin e dytë më të lartë në vlerë për vitin 2024 e arriti Credins Invest, me 17.2 milionë lekë, në rritje me 29% krahasuar me vitin 2023. Edhe për Credins Invest, rritja e rezultatit financiar u përcaktua kryesisht nga rënia e të ardhurave prej tarifave të administrimit.
Credins Invest administron fondin e pensioneve Credins Pension, fondin e investimeve Credins Premium dhe fondet e investimeve alternative Sea Land Investment Fund, Green View Alternative Investment Fund dhe Credins Optimal.
Shoqëria administruese Sigal Invest e ka mbyllur vitin 2024 me një fitim prej 13 milionë lekësh, në rënie me 17% krahasuar me një vit më parë. Faktor përcaktues ishte rënia e të ardhurave nga administrimi i fondit.
Kompania administruese WVP Fund Management Tirana, ka shënuar vitin e katërt radhazi me rezultat financiar pozitiv, në vlerën e 4.4 milionë lekëve, 52% më shumë krahasuar me një vit më parë. WVP Fund Management Tirana administron dy fondet e investimit, WVP Top Invest dhe WVP Global.
Shoqëria Albsig Invest, e mbylli edhe vitin 2023 me një fitim modest, në vlerën e 488 mijë lekëve. Megjithatë, kjo shënon një rezultat në përmirësim krahasuar me humbjen prej 3 milionë lekësh të një viti më parë. Përmirësimi erdhi kryesisht falë rritjes së ndjeshme të të ardhurave nga administrimi i fondeve. Deri në fund të vitit 2024, Albsig Invest administronte fondin e investimeve Albsig Standard dhe fondet e pensioneve Albsig Pension dhe Albsig Smart Pension.
Shoqëria ABI Invest e mbylli vitin 2024 me një humbje të vogël në vlerën e 146 mijë lekëve. Megjithatë, edhe për ABI Invest humbjet u reduktuan krahasuar me vlerën e 1.4 milionë lekëve të një viti më parë.
Përmirësimi i rezultatit financiar erdhi kryesisht nga rritja e të ardhurave financiare, ndërsa të ardhurat nga administrimi i fondit ishin në nivele të përafërta me një vit më parë. Kjo shoqëri administron tre fonde investimi, ABI EIA, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD. /Monitor(https://monitor.al/fitimi-i-shoqerive-administruese-te-fondeve-te-investimit-u-rrit-me-41-vitin-e-kaluar/)
Më të lexuarat








