Investimet e huaja sipas shteteve, Greqia ruan kryesimin, ndiqet nga Kanadaja e Italia
Greqia ka vijuar të jetë për të tretin vit radhazi investitori më i madh i huaj në Shqipëri, sipas statistikave të reja të Bankës së Shqipërisë.
Me një stok investimesh prej 1.18 miliardë lekësh, Greqia zinte rreth 26% të totalit. Stoku i investimeve të këtij shteti është rritur me rreth 8% me bazë vjetore në 2014-n. Telekomunikacionet (Vodafone dhe Telekom Albania) janë sektori që ka derdhur më shumë kapital në vend nga shteti fqinjë.Investitori i dytë më i madh në vend është Kanadaja, me një stok prej 729 milionë eurosh, me një tkurrje prej 9% në raport me 2013-n. Nxjerrja e naftës është sektori kryesor ku kanë investuar kanadezët, përmes kompanisë Bankers Petroleum. Kjo e fundit, tashmë ka ndërruar pronësi, duke u shitur te kinezët e Geo-Jade.
Italia mbetet investitori i tretë më i madh në vend, me një stok prej 524 milionë eurosh, me rritje prej 3% me bazë vjetore. Sipërmarrjet italiane në Shqipëri janë relativisht të vogla dhe të përqendruara në industrinë e tekstileve e këpucëve. Vitet e fundit janë zgjeruar dhe kompanitë e call center, që gjithsesi nuk sjellin investime të mëdha në vend, pasi hapja e tyre kërkon një kapital minimal.
I katërti është Holanda, me investime 506 milionë euro dhe rritje 30% në raport me një vit më parë. Investimet holandeze janë të përqendruara në energjetikë, përmes kompanisë Statkraft që po ndërton tre hidrocentrale mbi lumin Devoll.Më pas vjen Turqia, me investime 413 milionë euro në fund të 2014-s dhe rritje 10%. Investimet më të mëdha turke janë në sektorin e telekomunikacioneve dhe atë bankar.
E gjashta është Austria, me investime 385 milionë euro dhe rënie 17% me bazë vjetore. Edhe Austria është e përqendruar në energji, përmes sipërmarrjes Verbund që ka ndërtuar hidrocentralin e Ashtës.Gjermania, një nga shtetet më të fuqishme të Europës dhe ndër investitorët më të mëdhenj në Ballkan, në Shqipëri ka një prezencë minimale, me një stok prej vetëm 130 milionë eurosh. Kompanitë gjermane janë ankuar shpesh për mungesën e rregullave të lojës dhe sistemin e drejtësisë, që i mban ata larg Shqipërisë.
Në 2014-n ka pasur dyfishim të investimeve nga Shtetet e Bashkuara, duke arritur në 88 milionë euro, por gjithsesi ato mbeten në nivele të ulëta. Janë dyfishuar dhe investimet nga Kosova, në 26 milionë euro. Ndërsa investimet nga ishujt Cayman kanë rënë me 23% në 26 milionë euro./Monitor