Itinerari gastronomik, hapet gara për projektin që përfshin Drenovën dhe një Muze në Boboshticë
Projektet përmirësuese të turizmit kulturor në Korçë përfshijnë zhvillimin e "Itinerarit të gastronomisë" dhe ndërtimin e Muzeut të Boboshticës, financuar nga programi i turizmit.
Përmirësimi i potencialit të turizmit kulturor përmes zhvillimit të “Itinerarit të gastronomisë” në Korçë përfshirë ndërtimin e Muzeut të Boboshticës janë pjesë e projektit të fundit që pritet të financohet nga programi për infrastrukturën dhe mundësimin e turizmit në Shqipëri.
Ky i fundit financohet përmes një kredie të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) por edhe grande dhe asistencë nga Bashkimi Europian në vlerën 40 milionë euro. Në faqen zyrtare të BERZH përcaktohet se projekti do të zbatohet në fshatrat e Boboshticës dhe të Drenovës që janë pjesë e Bashkisë Korçë të vendosura në juglindje të vendit.
Të dy këto fshatra kanë potencial të lartë turistik ku së pari Boboshtica është një destinacion i identifikuar për gastronominë dhe ku investimet në funksion të turizmit kanë qenë të vazhdueshëm në sipërmarrjet private nga ana tjetër Drenova është një fshat ku pikë të fortë ka natyrën.
Parku Kombëtar Bredhi Drenovës është një nga asetet më të vlerësuara dhe të identifikuara të zonës që mbulon një sipërfaqe rreth 1400 hektarë në vargmalin e Moravës. Disa nga pikat më të rëndësishme janë : Maja e Gurit të Cjapit, Kishat e Shën Pjetrit dhe Shën Ilisë.
Sipas specifikimeve ky do të jetë një tender me një fazë të vetme ku kompanitë do të paraqesin ofertat e tyre teksa data e mbylljes është 6 maji 2025.
Projekti për lehtësimin e infrastrukturës në zonat me potencial turizmin po zbatohet prej disa vitesh në vend dhe ka në objekt të tij disa rajone të tilla si Alpet e Shqipërisë, Shkodrën, zonën e Malit të Tomorit.
Vetëm pak javë më parë u prokurua ndërhyrja në rrjetin energjetik në rajonin e Alpeve për përmirësimin e saj apo përmirësimi infrastrukturës dhe transportit në fshatin Bogë.
Më herët janë çelur edhe projekte si rritja e atraktivitetit turistik në Kalanë e Beratit, ndërtimi i Parkut Ligatinor Shkodër apo përmirësimi i rrugës tjetër Shirokë-Zogaj-kufi Mali i Zi si dhe furnizimi me ujë dhe rrjeti i largimit të ujërave të përdorura. /Monitor(https://monitor.al/itinerari-gastronomik-hapet-gara-per-projektin-qe-perfshin-drenoven-dhe-nje-muze-ne-boboshtice/)