Secondary Adv

Vendimi i Qeverisë, Central fotovoltaik në territorin e aeroportit të Kukësit

Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike për vetëprodhim dhe veprave ndihmëse në territorin e Aeroportit të Kukësit.

Ky impiant me kapacitet të instaluar prej 12 MW do të ndërtohet nga shoqëria "Global Technical Mechanics" sh.p.k., e cila ka ndërtuar dhe aeroportin e Kukësit.

 

Në vendim saktësohet se centrali cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse në territorin e Aeroportit të Kukësit sipas vendimit nr.146, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritet publik privat, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë “Global Technical Mechanics”, sh.p.k., dhe “Bami”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Kukës International Airport”, sh.p.k., për rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”

 

Kjo kompani ka një afat 36 muaj për ndërtimin dhe vënien në punë të tij. Centrali do të funksionojë deri në përfundim të afatit të kontratës koncesionare të Aeroportit të Kukësit.

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, do të ushtrojnë mbikëqyrje të rregullt për të siguruar përputhjen e punimeve dhe operimit me standardet e parashikuara. Shoqëria investuese do të duhet të raportojë periodikisht mbi progresin dhe të respektojë kushtet e vendosura në licencat dhe autorizimet mjedisore.

 

Gjithashtu, kompania do të japë 2% të prodhimit vjetor të energjisë falas për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ose ta konvertojë atë në vlerë monetare për buxhetin e shtetit.

 

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”. /Shqiptarja


Më të lexuarat