Hapësira e plazheve e shfrytëzuar nga privatët u rrit 132 për qind në 2024, krahasuar me 2022
Pavarësisht premtimeve për ruajtjen e hapësirave publike, plazhet private vijojnë të zgjerohen, siç konfirmon auditimi i KLSH për vitet 2022-2024.
Edhe nga viti në vit përpara fillimit të çdo sezoni turistik, por edhe në përfundim të tij premtohet respektimi i hapësirave publike në plazhe, ashtu siç ndodh në shumë shtete evropiane, në Shqipëri vijon të zgjerohet më shumë hapësira e plazheve private. Kjo, edhe e certifikuar tashmë nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 2022-2024.
Hapësira e çdo plazhi (publik ose privat) kufizohet me vijën bregdetare. Raporti 70% privat dhe 30% publik nuk garanton vërtetësi në terren, pasi ai nuk aplikohet për çdo zonë plazhi, por në një territor të përgjithshëm. Për rrjedhojë, hapësira e plazhit që duhet t’i dedikohet publikut pa pagesë nuk është trajtuar me përparësi.
Sipas raportit, nga vëzhgimet në terren rezulton se hapësira që i rezervohet publikut, shpeshherë nuk është e përshtatshme dhe e aksesueshme për qytetarët. Vendndodhja e tyre shpeshherë është në afërsi të derdhjes së ujërave të zeza, në territor me papastërti apo distancë nga zonat historike të plazheve.
Në disa raste hapësira publike rezulton e zënë nga banorë të zonës me shezlong e çadra stacionare të mbyllura me zinxhir dhe dryna, të cilat kanë shkaktuar cënim të së drejtës së shfrytëzimit të këtyre hapësirave nga pushuesit e tjerë rastësorë, si në rastin përgjatë vijës bregdetare Durrës dhe Kavajë.
Nga një anë rezultojnë hapësira për publikun në masën 30%, në disa raste në zona aspak të përshtatshme, por nga ana tjetër, gjatë periudhës që është audituar, ka rritje të sipërfaqes së kontraktuar nga subjekte private.
Të dhënat e mëposhtme tregojnë ecurinë e sipërfaqeve të kontraktuara nga hapësira publike në plazhe, për bashkitë objekt studimi.
Sikundër vihet re sipërfaqja e kontraktuar nga subjekte privatë për të ushtruar veprimtarinë stacion plazhi, për periudhën 2022-2024 paraqet një tendencë të lartë rritjeje.
Nga krahasimi i sipërfaqes në vitin 2024 kundrejt vitit 2022 rezultojnë rritje të larta, që luhaten nga 253% më shumë në Bashkinë Lezhë deri në 45% në Bashkinë Durrës.
Në total për 6 bashkitë gjatë vitit 2022 është kontraktuar sipërfaqja prej 239.221 m2 e cila në vitin 2024 rritet në 554.738 m2 ose në përqindje në masën 132%.
Gjatë auditimit u konstatua gjithashtu edhe rritje e numrit të shezlongëve për çdo vit të periudhës 2022-2024, si dhe rritje e numrit të subjekteve përfitues nga hapësira publike në plazhe, ku sërish Lezha ka një rritje me 159% (16146 të tillë në 2024). /ekofin.al