
Rihapet thirrja për Bibliotekën e re Kombëtare, u anulua pas interesit të ulët
Korporata e Investimeve Shqiptare rihapi thirrjen për një zhvillues privat për Godinën e re të Bibliotekës Kombëtare, pjesë e një projekti më të gjerë.
Korporata e Investimeve Shqiptare rishpalli nga e para thirrjen për të gjetur një zhvillues privat për nënprojektin Godina e re e Bibliotekës Kombëtare që është pjesë e projektit “Zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore”.
Në argumentimin e dhënë nga ky institucion për anulimin e procedurës së parë thuhet se shkak është bërë numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese brenda afatit për dorëzimin e aplikimeve të përcaktuar në Dokumentin e Kualifikimit.
Tashmë në thirrjen e re Korporata ka përcaktuar si afat për paraqitjen e aplikimeve nga ana e subjekteve private 7 prillin 2025.
“Ky projekt investimi synon konceptimin dhe projektimin e një zhvillimi multi-funksional në zonën e ish-“vilave gjermane”, një lokacion i rëndësishëm në kryeqytet, i njohur për urbanizimin dinamik dhe afërsinë me një numër destinacionesh dhe nyjesh kryesore zonën urbane përreth tij, duke e kthyer në një qendër multi-funksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Tiranës. Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit të pronave shtetërore në pronësi të saj dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik, që ka interes të zhvillojë pronën e tij dhe të përfitojë një bibliotekë bashkëkohore, dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive, dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit” thuhet në dokumentet e Korporatës sa i takon hapjes së thirrjes.
Ky proces do të jetë i ndarë në dy faza ku në të parën pritet të bëhet paraqitja e një aplikimi nga subjektet e interesuara, aplikim i cili përmban projekt-idenë paraprake arkitekturore të projektit të zhvillimit multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) dhe dokumentacionin që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve të kualifikimit të aplikantëve.
Ndërkohë faza e përzgjedhjes (Faza II) konsiston në paraqitjen e një propozimi, i cili përmban dy zarfa të ndarë: (a) zarfi i parë përmban projekt-idenë arkitekturore të zhvillimit multifunksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) dhe (b) zarfi i dytë përmban ofertën financiare, siç detajohet në Ftesën për Propozim. Kjo fazë synon përzgjedhjen e projekt-idesë arkitekturore të zhvillimit multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”) dhe të propozimit financiar më të favorshëm për Korporatën të paraqitur nga një partner i kualifikuar.
Ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare është një nga disa projekte që qeveria ka nisur sa i takon zhvillimit të pronave në partneritet me privatin. Më herët u shpall fituesi për VOID Tower dhe kompleksin governativ teksa është rihapur nga e para ai për kadastrën dhe LIFT Tower. Një tjetër Projekt që do të ndjekë këtë model është stadium “Selman Stermasi” apo zhvillimi i vilave qeveritare në hotele marka ndërkombëtare në Vlorë dhe Velipojë./Monitor(https://monitor.al/rihapet-thirrja-per-biblioteken-e-re-kombetare-u-anulua-pas-interesit-te-ulet/)
Më të lexuarat








