Secondary Adv

Akuadromi i Tiranës do të rindërtohet, Bashkia hap konkurs ndërkombëtar për projektimin

Bashkia e Tiranës ka hapur një konkurs ndërkombëtar për projektide për rindërtimin e Akuadromit të Tiranës, ose pishinave publike.

Afati për paraqitjen e ideve është caktuar data 22 prill, ndërsa afati për zbatimin e kontratës me ofertuesit që do të shpallet fitues është 7 muaj.

 

Sipas dokumentacionit të tenderit, aktualisht “Akuadromi i Tiranës” përbëhet nga gjashtë pishina, dy prej të cilave me përmasa olimpike, një për të rritur me prezencë lojërash ujore, një me strukturë trampoline dhe dy të tjerat për fëmijë sipas grupmoshave. Gjithsesi, kompleksi është në gjendje të mjerueshme, pasi është i amortizuar.

 

Në total, i gjithë kompleksi në pronësi të Bashkisë Tiranë shtrihet në një sipërfaqe prej 36,201 metra katrorë.

 

Rezultati i këtij konkursi do të jenë zgjidhjet e projektimit për rikonceptimin e sitit aktual të Akuadromit dhe kritereve teknike bashkëkohore të projektimit të komplekseve të ngjashme.

 

Konkretisht, Bashkia synon të ndërtojë gjithashtu edhe një pishinë të mbyllur, e cila parashikohet të ketë një sipërfaqe prej 6300 m2, përfshirë edhe strukturën e saj mbështetëse.

 

Gjithashtu, do të ristrukturohet pishina e hapur olimpike, si edhe pishinat e tjera, ku njëra prej tyre do të pajiset edhe me lodra ujë, në formatin e një akuaparku të mirëfilltë.

 

Gjithashtu janë parashikuar zonat e shërbimeve, në funksion të pishinave, por do të ndërtohet për herë të parë edhe një zonë SPA, me sauna, dhomë avulli dhe jacuzzi.

 

Gjithashtu, do të ketë edhe një palestër, kafe/bar restorant, zyra për administratën, si edhe parkim të hapur, si edhe një sipërfaqe prej 5177 m2 parkim nëntokësor.

 

Procesi i konkurrimit do të zhvillohet në dy faza: në fazën e parë, shprehja e interesit, pranueshmëria dhe të përzgjedhurit, ndërsa në fazën e dytë dorëzimi i propozimeve për ide projektimi.

 

Në fazën e dytë juria do të shqyrtojë me kujdes propozimet e ekipeve të përzgjedhura dhe, bazuar në kriteret e kësaj faze, do të përzgjedhë propozimin fitues. /ekofin.al


Më të lexuarat