
Ministria e Financave fond 100 milion dollare per rritjen e pagave dhe pensioneve
Qeveria po merr në shqyrtim draftin e rritjes së pagave dhe të pensioneve të propozuar nga Ministria e Financave. Këshilli i Ministrave është duke shqyrtuar disa skenarë, por varianti më i mundshëm për zbatim do të jetë për rritje të pagave në masën 10 për qind të punonjësve të administratës dhe për rritje të pensioneve në masën 3 për qind.
Fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve është llogaritur 12,4 miliardë lekë, apo 100 milionë dollarë. Rritja e pagave në nivelin 10 për qind dhe pensioneve 3 për qind është propozuar edhe nga Komisioni i Ekonomisë.
Propozimi nga kuvendi
Komisioni i Ekonomisë propozon rritje të pagave në masën 10 për qind dhe të pensioneve 3 për qind. Anëtari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, tha dje në rrjetet sociale se ky propozim pritet të marrë miratimin dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Angazhimi ynë kur morëm besimin e shqiptarëve më shumë se tre vjet më parë ishte të rrisnim mirëqenien e tyre. Falë politikave të ndjekura nga kjo qeveri, vjen edhe lajmi i mirë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Si anëtar i Komisionit të Ekonomisë, propozimi im do të ishte për një rritje në nivelin 10% të pagave dhe 3% të pensioneve. Ne besojmë në miratimin nga Banka Botërore dhe FMN, si partnerë strategjikë të vendit tonë”, u shpreh deputeti Bushati në rrjetet sociale.
Deputeti i Partisë Socialiste tha për mediat se paratë për rritjen e pagave dhe pensioneve janë kursyer nga reforma në energji. “Reformat strukturore e kanë bërë të mundur këtë sepse paratë e kursyera nga të gjitha këto reforma si në sektorin e energjisë, apo arsimin, kanë bërë të mundur që qeveria të ketë hapësirën fiskale për të përmirësuar sa më shumë gjendjen e punonjësve të administratës dhe pensionistëve”, shpjegoi Bushati.
Rritja sipas kategorive
Nga rritja e pagave do të përfitojnë 81 mijë punonjës të administratës shtetërore dhe rreth 600 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Gazeta mëson se rritja e pagave do të jetë e ndarë sipas kategorive të punonjësve, kurse për rritjen e pensioneve do të bëhen ndryshime të ligjit.
Rritja e pagës të Presidentit dhe Kryeministrit do të jetë më pak se 1 për qind ndërsa rritja më e lartë do të jetë për arsimtarët, punonjësit e shëndetësisë, policisë dhe punonjësve që merren me procesin e integrimit të vendit në BE. Për pensionet ende nuk janë bërë ndryshimet e ligjit që do të mundësojnë rritjen e tyre, pasi me miratimin e reformës të pensioneve është e mundur vetëm indeksimi i tyre.
Po ashtu, ende nuk dihet nëse qeveria ka përfshirë në fondin për rritjen e pagave të administratës dhe pensionistëve, rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pak ditë më parë, qeveria miratoi financimin me 1,8 miliardë lekë për reformon në qeveri. Fatura e miratuar do të financojë rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe riorganizimin e institucioneve të drejtësisë.
Ahmetaj: E sigurt rritja e pagave dhe pensioneve, paratë janë
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi dje se rritja e pagave dhe pensioneve është e sigurt. Ministri Ahmetaj përsëriti se paratë për rritjen e pagave dhe pensioneve janë të garantuara, dhe se buxheti është më i konsoliduar se dy vjet më parë.“Është e sigurt që do të rriten pagat dhe pensionet. Buxheti i shtetit është shumë më i konsoliduar se vitin e kaluar, shumë i konsoliduar se dy vjet më parë, shumë më i konsoliduar se vite më parë”, u shpreh Ahmetaj.
Pak ditë më parë ishte Kryeministri Rama ai që njoftoi rritjen e pagave dhe të pensioneve. Rama u shpreh se qeveria ka në dispozicion 100 milionë dollarë për rritjen e tyre.Diskutimet për rritjen e pagave dhe pensioneve do të përfshihen dhe në bisedimet zyrtare me Bordin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që nisin sot në Uashington. Përveç ministrit të Financave, në bisedime do të jetë i pranishëm dhe Guvernatori i Bankës të Shqipërisë, Gentian Sejko.
Më të lexuarat








