
Auto Moto Park, kryeministri Rama: Motor i ri që gjeneron të ardhura për ekonominë
Projekti final për Auto Moto Park në Elbasan u prezantua këtë të premte në një takim të posaçëm me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama dhe ministrave të tjerë.
Projekti final për Auto Moto Park në Elbasan u prezantua këtë të premte në një takim të posaçëm ku morën pjesë ndër të tjerë kryeministri Edi Rama, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacion Blendi Gonxhja dhe ai i Shtetit Arbjan Mazniku.
Në fjalën e tij me këtë rast kreu i qeverisë tha se ky investim nuk është thjesht një cirkuit për gara por një motor i ri që i vendoset ekonomisë shqiptare dhe që do të gjenerojë përfitime të disa natyrave.
“Auto Moto Park është një projekt i detajuar tërësisht në një bashkëpunim të ngushtë me Formula 1 duke adresuar gjithë kritikat e skuadrës së vendosur në dispozicion të këtij projekti. Vazhdon puna për përgatitjen e terrenit mbi të cilën do ndërtohet projekti, infrastrukturën, hyrjen dhe daljen. Ambicia është që Shqipëria 2030 të jetë vendi mikpritës i garës së Formula 1 diçka e pakonceptueshme pak kohë më parë.
Dua te theksoj që nuk bëhet fjalë për të bërë një investim për një garë por për ti instaluar ekonomisë shqiptare një motor të ri. Ky projekt është ekonomi, nuk është garë me makina. Është ekonomi se në hakun e 360 ditëve të vitit ky projekt do të krijojë një destinacion ku në qendrën e vet të gravitetit, do të jetë siguria rrugore dhe nga fëmijët e vegjël tek më të rriturit që ngasin makina do të duhet të referohen tek kjo qendër për testimet përkatëse.
Modeli ynë është qendra në Vjenë por me skuadrën teknike të F1, që ka punuar studioja e përzgjedhur nga konkursi ndërkombëtar është ndërtuar një projekt që brenda vetë familjes se cirkuiteve të F1 është inovativ për një sërë zgjidhjesh që janë sugjeruar nga stafi teknik i F1 dhe këtë cirkuit në Elbasan e bëjnë një cirkuit që sjell një sërë risish”, tha Rama
Ndërkohë Ministri Gonxhe nënvizoi ndikimin që ka projekti qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga motosporti qoftë nga industri të tjera të lidhura me të siç mund të jenë turizmi dhe shërbimet.
Po kështu ndikimi lokal ku komuniteti mund të punësohet është një tjetër përftim.
“Kjo e vendos Shqipërinë në hartën globale të 1 miliard shkuesve që ndjekin sporte të ndryshme të garave me makina dhe motorë. Objektiv afatgjatë është evidentimi dhe promovimi i talenteve të reja dhe siguria rrugore si një element i dytë”, tha Gonxhe.
Auto Moto Park do të ndërtohet në zonën e Krastës në Elbasan buzë lumit Shkumbin. Sipas projektit do të jetë një ndërtim multifuksional.
“Në aspektin e motorsportit parashikon struktura për kompeticione ndërkombëtare dhe kombëtare, testime të makinave të reja por edhe drfit. Në aspektin e edukimit parashikon shumë struktura edukative për mjetet profesionale dhe të thjeshta. Do ketë programe edukative dhe për fëmijët. Projekti parashikon dhe multifunksionalitet në aspektin jetësor. Një sallë konferencash, hapësirë për panaire dhe mundësi për spote që nuk lidhen drejtpërdrejt me motorspotin.
Gjashtë hapësira: pista kryesore, pista dytësore me disiplinat e reja, muzeu i mjeteve të vjetra RETRO, hapësira e dedikuar për sigurinë rrugore dhe një hapësirë për DPSHTRR.
Pista ka gjatësi 4444 metrash. Shpejtësia 222 km në orë dhe një xhiro totale përreth pistës është 70 sekonda. Auto Moto Park ka formën e një arene natyrore dhe fushëpamja është optimale në 90 për qind të kohës” shpjegoi në detaje zv.minstri i MEKI Sokol Duma./Monitor(https://monitor.al/auto-moto-park-kryeministri-rama-motor-i-ri-qe-gjeneron-te-ardhura-per-ekonomine/)
Më të lexuarat








