Secondary Adv

Gati ndërtimi i urës mbi lumin Bunë, Mali i Zi miraton marrëveshjen me Shqipërinë

Mali i Zi ka miratuar marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Bunë.

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar marrëveshjen me Shqipërinë për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Bunë, duke i hapur rrugën realizimit të një projekti të rëndësishëm infrastrukturor mes dy vendeve.

 

Marrëveshja u nënshkrua më 27 shkurt 2023 në Podgoricë nga kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazoviç dhe ishte ratifikuar më herët nga Kuvendi i Shqipërisë, duke hyrë në fuqi në qershor të vitit 2023.

 

Kjo urë, e gjatë 380 metra dhe e projektuar me tre harqe, do të shërbejë për kalimin e automjeteve, këmbësorëve dhe biçikletave, duke përmirësuar ndjeshëm lidhjet ndërkufitare mes Velipojës dhe Ulqinit. Projekti synon jo vetëm lehtësimin e lëvizjes, por edhe shfrytëzimin maksimal të potencialeve natyrore dhe kulturore të rajonit, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe turistik.

 

Financimi i ndërtimit, me një kosto totale prej rreth 20 milionë euro, do të mbulohet në mënyrë të barabartë nga të dyja vendet, përfshirë kostot e ndërtimit, mbikëqyrjes dhe shërbimeve të tjera teknike. Studimi dhe hartimi i projektit u përgatit me fondet e palës shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).

 

Me ndërtimin e kësaj ure, pritet që udhëtimi nga plazhi i madh i Ulqinit në Velipojë të shkurtohet ndjeshëm, duke krijuar një rrugë të re dhe më të shpejtë për banorët dhe turistët. /Shqiptarja.com


Më të lexuarat