Secondary Adv

Rruga e Arbrit me koncesion, punimet fillojne ne pranvere te 2017

Ndërtimi i Rrugës të Arbrit do të kryhet me koncesion, ndërsa punimet do  të nisin në pranverën e vitit të ardhshëm. Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, paralajmëroi dje dhënien me koncesionin të Rrugës së Arbrit, ndërsa u shpreh që në këtë partneritet publik-privat do të përfshihen edhe kompanitë shqiptare.

 

Kreu i Transporteve, Dervishaj, ripërsëriti se punimet për ndërtimin e projektit nisin në pranverën e 2017-s.

Për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Qeveria kishte në diskutim tri variante: atë të dhënies me koncesion, të financimit për ndërtimin e rrugës nga buxheti i shtetit, apo investimin e segmentit alternativ DibërLibrazhd-Tiranë. Ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj, shpjegoi se kostot e projektit janë të larta për t’u përballuar nga buxheti dhe se po shikohet mundësia e ndërtimit nëpërmjet partneritetit publik-privat.


“Jemi në fazën e gjetjes të financimit. Po shikojmë mundësinë e partneritetit publik-privat për të pasur kosto sa më të ulëta, sepse edhe buxheti i shtetit ka vështirësi, por edhe kostot e projektit janë të mëdha. Por, duke përfshirë edhe kompanitë vendëse në forma të tilla bashkëpunimi, kjo çështje do të zgjidhet shumë shpejt. Gjithsesi, ju siguroj se në pranverën e vitit 2017 fillojnë punimet për segmentin e pakryer të Rrugës së Arbrit”, u shpreh Dervishaj.
Për ofertat e kompanisë kineze qeveria ende nuk ka një vendimmarrje, ndonëse ato janë konsideruar të larta. Deklaratat për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ministri Dervishaj i bëri pas inspektimit të punimeve në kantierin e impiantit të ujërave të ndotura në Tiranë. Ai u shpreh se në realizimin e projektit ka pasur disa vonesa, por shprehu besimin për përfundimin e projekteve brenda afatit.


Ministri deklaroi se deri në këtë fazë është implementuar në terren 40 % e projektit, por aspekti më i rëndësishëm nuk janë vetëm punimet inxhinierike, por edhe teknologjia që do të përdoret për zbatueshmërinë dhe funksionimin e tij. Projekti po financohet nga qeveria japoneze dhe përfitues do të jenë 342 mijë banorë të kryeqytetit./Panorama


Më të lexuarat