Krimi financiar, 1 në 5 procedime në vitin 2024 i përket sferës ekonomike
Raporti i Prokurorisë tregon rritje të ndjeshme të procedimeve penale në fushën e krimit ekonomik gjatë vitit 2024.
Referuar raportit të “Prokurorisë së Përgjithshme” mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024 del në pah se disa nga veprat për të cilat procedimet janë rritur ndjeshëm i përkasin sferës ekonomike.
Nisur nga analiza dhe vlerësimi i tendencave të kriminalitetit për vitin që lamë pas shohim se rritjen më të lartë vjetore prej 59% e kanë regjistruar veprat penale kundër pastrimit të parave.
Falsifikimi i monedhave dhe letrave me vlerë po ashtu renditet mes veprave qe kanë regjistruar një rritje të procedimeve prej 48%, pasuar nga krimet në fushën e doganave me 39% dhe veprat penale ne lidhje me veprimtarinë bankare dhe financiare me 33%.
Numri më i lartë i procedimeve në fushën ekonomike regjistrohet për krimet në fushën e doganave. Ajo që vihet re nga të dhënat është jo vetëm rritja e procedimeve, por edhe rritja e të dënuarve, nga 93 në 155 për vitin 2024.
Rritje e numrit të të dënuarve vërhet edhe për veprat penale në lidhje me tatimet dhe taksat, ndërkohë sa i përket falsifikimit të monedhave numri i të dënuarve ka rënë.
Veprat penale kunder pasurisë dhe në sferën ekonomike zënë për vitin 2024 rreth 22% të procedimeve gjithsej, ndërkohë koeficienti i kriminalitet për 100 mijë banorë është 231.
Rritja e procedimeve në këtë sferë tregon një forcim të ndjekjes penale ndaj veprimtarive kriminale që prekin sigurinë ekonomike të vendit./Scantv