Secondary Adv

Qeveria heq detyrimin e studimit të fisibilitetit për investimet publike

Me propozim të Ministrit të Financave, Qeveria ka ndryshuar sërish Procedurat e Menaxhimit të Investimeve Publike, një vit pas ndryshimit të tyre të fundit në shkurt 2024.


Por nëse në atë rast, ndryshimet u realizuan për të forcuar procedurat dhe filtrat e kontrollit për rrugën që ndjekin projektet e investimeve publike deri në miratimin e tyre në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare, kjo diktuar nga rekomandimet e BE-së dhe institucioneve të tjera financiare si BB dhe FMN, këtë herë ka ndodhur e kundërta. Procedurat e menaxhimit të investimeve publike ndikojnë direkt në mënyrën sesi menaxhohet në tërësi buxheti i shtetit.

 

Një nga ndryshimet kryesore të vendimit të fundit të Qeverisë lidhet me studimin e fisibilitetit, i cili, tani sipas rastit, mund të zëvendësohet me studimin teknik. Studimi i fisibilitetit shërben si një mjet i rëndësishëm kontrolli dhe projektimi për çdo projekt investimi përpara miratimit.

 

Rruga që do të bëjnë propozimet për projektet e reja të klasifikuara si projekte me rëndësi strategjike

 

Ministria e Financave, pas marrjes së propozimeve nga institucionet propozuese përcjell te SASPAC qëndrimin e saj për çdo propozim për këto projekte. Vendimi i ri i heq MF kufizimin 14-ditor të paraqitjes së qëndrimit pas marrjes së propozimit.

 

SASPAC, tashmë me ndryshimet ligjore, do të konsultojë krahas çdo projektpropozimi edhe projektet që kanë përgatitur studimin e fisibilitetit si dhe nëse plotësojnë kriteret e maturitetit të projektit, sipas metodologjisë së miratuar me udhëzim të ministrit të Financave, i kalon në Komitetin e Planifikimit Strategjik sipas rastit.

 

Sigurimi i cilësisë së konceptimit dhe të përmbajtjes në përputhje me metodologjinë e ministrit të Financave është detyrë e insitucioneve propozuese.

 

Pavarësisht parashikimit të paraqitjes së studimit të fisibilitetit për të gjitha llojet e projekteve, në vendim parashikohet si shtesë pika c/1 e cila citon se “përjashtimisht, për nevoja emergjente ose për nevoja të ofrimit të shërbimeve jetike, kur është e pamundur koha për përgatitjen e studimit të fisibilitetit, projektet e investimeve strategjike maturohen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare nëpërmjet paraqitjes së studimit Teknik”.

 

Në fakt ky përcaktim lë vend për interpretime se cilat janë “shërbimet jetike”, duke krijuar hapësira për përfshirje në listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare të projekteve të caktuara vetëm me një studim teknik.

 

Më pas projekti, në përputhje me vendimin e ndryshuar në 2024, do të konsiderohet i maturuar me miratimin e Komitetit të Planifikimit Strategjik. SASPAC reflekton ndryshimin e statusit tё maturitetit tё projekteve qё maturohen dhe rivlerёson rankimin e projekteve nё Listёn Unike tё Projekteve me Rёndёsi Kombёtare.

 

Përfshirja e projekteve në PBA apo buxhetin vjetor

 

Sipas vendimit të ri, projektet e investimeve përfshihen në PBA-në apo buxhetin vjetor në përputhje me hapësirën fiskale, vetëm pasi të jenë bërë pjesë e listës unike të projekteve me rëndësi kombëtare, të miratuara (por jo më të rankuara) me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Për projektet me rëndësi strategjike të maturuara në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, në rast se në momentin e buxhetimit kanë ndryshime në vlerat e plota të projektit, institucioni propozues paraqet relacion të detajuar me argumentimin përkatës të ndryshimit të vlerës dhe vlera e rishikuar e projektit reflektohet në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare.

 

Në rast se ndryshimi i vlerës mbi 20% të vlerës së plotë të projektit vjen si pasojë e ndryshimeve teknike të projektit, duhet të përcillet studim fisibiliteti i rishikuar.

 

Ndërsa projektet, të cilat janë maturuar në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare dhe nuk janë buxhetuar brenda tri viteve nga kryerja e studimit të fisibilitetit, për t’u buxhetuar, duhet të rishikojnë studimin e fisibilitetit.

 

Për projektet me rëndësi strategjike, për të cilat vlera e plotë e projektit rivlerësohet gjatë zbatimit, reflektohet vlera e ndryshuar në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare.

 

Projektet e investimeve publike të miratuara në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare përfshihen në listë deri në sigurimin e plotë të vlerës së financimit.” thuhet në vendimin e ndryshuar.

 

Ministri i Financave, me udhëzim, miraton metodologjinë e përgatitjes së studimit të plotë të fisibilitetit dhe studimit të thjeshtuar të fisibilitetit.

 

Projektet koncesionare/PPP

 

Projektet e investimeve strategjike, të cilat propozohen për t’u zbatuar si projekte koncesioni apo partneriteti publik privat, maturohen në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, pasi përgatitet studimi i fisibilitetit, duke ndjekur rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për koncesionet dhe partneritetet publike private, thuhet në vendimin e ndryshuar.

 

Ndërkohë, vendimi specifikon se Agjencia e Trajtimit tё Koncesioneve (ATRAKO) nuk do të japë më mendim nё tёrёsi pёr pёrmbushjen e elementeve tё studimit tё fisibilitetit tё projektit, pёr projektet qё paraqiten sipas modulit PPP.

 

Ky vlerësim do t’i mbetet institucionit përgjegjës për programimin strategjik, SASPAC. Në këtë mënyrë, me largimin e ATRAKO-s nga procesi zbehet më tej roli i agjencisë që u ngrit për të kontrolluar koncesionet, por që nuk arriti asnjëherë ta përmbushte një rol të tillë.

 

Rishikimi i listës së projekteve

 

Sipas vendimit të mëparshëm, Lista Unike e Projekteve me Rëndësi Kombëtare miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, jo më vonë se data 31 janar dhe rishikohej nëse ishte e nevojshme jo më vonë se data 1 korrik.

 

Tashmë kjo listë do të rishikohet çdo 3 muaj. Kjo do t’i japë mundësi më shpesh Qeverisë të ndryshojë sipas nevojave dhe prioriteteve projektet me rëndësi kombëtare. /ekofin.al 


Më të lexuarat