Marrëdhëniet e biznesit mes Shqipërisë dhe Serbisë së shpejti në një fazë të re bashkëpunimi, që parashikon lehtësira të ndërsjella dhe forcon marrëdhëniet tregtare.
Një takim dypalësh, i cili do të zhvillohet këtë muaj në Nish, pritet t’i japë drejtim situatës së biznesit dhe “ankorimit” të tij në vendin tonë.Shqipëria shihet si një vend me potenciale të pashfrytëzuara dhe me një pozicion të favorshëm gjeografik për biznesin e huaj por, nga ana tjetër, edhe biznesi vendës sipas ekspertëve ka nevojë për të konsoliduar pjesën e eksportit, sidomos në vendet e rajonit.
Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Biznesit ShqipëriSerbi, Vladimir Çuka, bizneset e të dyja vendeve e kanë të qartë pozicionin e përshtatshëm gjeografik të Shqipërisë për daljen në det dhe si një urë e rëndësishme lidhëse me tregun europian dhe Serbia si një urë lidhëse me hapësirat ekonomike e tregtare të Europës lindore e më gjerë.
“Pala serbe është prezente në Shqipëri në fushën e tregtisë, por duan të zgjerohen shumë në turizëm, po të kemi parasysh pozitën e tyre gjeografike dhe mungesën e daljes në bregdet.Po kështu, duan të fokusohen në transport, sidomos atë detar, në industrinë metalike, si dhe në industrinë agroushqimore. Iniciativat e zhvillimit ekonomik e tregtar në Ballkanin Perëndimor, me mbështetjen e Kancelares Merkel dhe vendeve të tjera të BE-së, kanë hapur hapësira për komunitetet e biznesit.
Sepse qeveritë miratojnë projekte me karakter rajonal, por zbatimin e tyre do ta bëjë biznesi. Pa ndërtimin e një infrastrukture kooperuese në rajonin tonë, pa ura të qëndrueshme komunikimi e bashkëpunimi mes nesh, nuk mund të marrësh frute”, shprehet Çuka për gazetën “Panorama”. Iniciativat e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor janë në fokus të nxitjes nga Bashkimi Europian si premisë për të përmirësuar jetën dhe ekonominë e qytetarëve në këto vende.
Ekonomia, biznesi, investimet e huaja direkte, marrëdhëniet e afërta tregtare, heqja e barrierave doganore, si dhe zhvillimi konkret i investimeve në fusha me interes të përbashkët do të sjellë më shpejt rajonin drejt integrimit me familjen europiane.Në këtë pikëpamje samiti, në prag të një takimi që mbahet në Nish më 13 dhe 14 tetor, me pjesëmarrjen e bizneseve nga Shqipëria dhe Serbia, përbën një hap më tej në përafrimin ekonomik.
Në Nish, rreth 25 biznese shqiptare dhe po kaq dhe serbe do të jenë në një tryezë pune mes tyre.“Zotimi i BEsë mbetet që t’i japë Ballkanit Perëndimor 1 miliard euro deri më 2020-n. Ndaj edhe në këtë këndvështrim, bizneset me mbështetjen e qeverive duhet të hartojnë projekte bindëse për partnerët europianë”, u shpreh Çuka.