Secondary Adv

Pensionet e pjesshme nuk arrijnë as 20 për qind të pagës mesatare, shkak informaliteti

Informaliteti po dëmton pensionet. Gjatë vitit 2024, 80% e pensioneve të reja ishin të pjesshme për shkak të mungesës së viteve të sigurimeve.

Informaliteti po godet xhepin e moshës së tretë. Shifrat zyrtare të siguruara nga Report TV tregojnë se nga 40 mijë pensione që u lidhën gjatë 2024-ës, rreth 80% ishin të pjesshme pasi nuk ishin plotësuar vitet e punës. Ndërkohë nëndeklarimi i pagave po bën që pensionet të dalin gjithnjë e më të ulta.

 

Puna në të zezë, e paregjistruar në organet tatimore dhe pa kontribute te derdhura, po godet moshën e tretë. Numri i ulët i viteve të deklaruara të punës, shoqëruar edhe me pagë jo reale, po sjell pensione në nivele minimale dhe të pjesshme.

 

Shifrat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se nga 40 mijë pensione të reja të lidhura vjet, rreth 80% e tyre ose 32 mijë pensione ishin të pjesshme, si rezultat i mungesës së viteve të punës. Gjatë vitit 2024 periudha mesatare e punës ishte 27 vjet, nga 38 vite e 4 muaj që është detyrimi për të marrë pensionin e plotë.

 

Në total në Shqipëri janë 721 mijë pensionistë, nga të cilët 607 mijë janë pensione pleqërie. Shifrat zyrtare tregojnë se vetëm 290 mijë marrin pension të plotë, ndërsa 52% ose 316 mijë qytetarë kanë pagesë mujore të pjesshme.

 

Përtej viteve të punës të padeklaruara, pensionistët e rinj, po përballen edhe me një pasojë tjetër të rëndë që vjen nga fshehja e pagës reale nga bizneset, shoqëruar nga kontribute të tkurrura. Rezultati? Pensionet e reja po dalin më të ulta sesa pritshmëritë.

 

Pensioni mesatar i lidhur vjet ishte 160 euro, më pak se 20% e pagës mesatare të vendit ose sa 40% e pagës minimale prej 400 euro që ka Shqipëria.

 

Ndërkohë pensioni mesatar që ka Shqipëria është 200 euro kurse pensioni mesatar me vite të plota pune është 385 euro, dhe premtimi i socialistëve është për ta çuar në 400 euro nëse marrin mandatin e katërt.

 

Logjikisht pensionet e reja duhet të dalin më të larta, për shkak të rritjes së shpejtë të pagave në dekadën e fundit dhe detyrimit për t’i deklaruar të plota në bankë, e që duhet të sillte formalizim e pagesë të drejtë të kontributeve nga punëdhënësi, por në fakt nuk është dhënë efekti i pritshëm.

 

Për të dalë në pension këtë vit dhe ta përfitosh atë të plotë duhet të kesh 38 vite e 8 muaj punë, nga 38 vite e 4 muaj që ishte vjet. Edhe vitet e sigurimit do të rriten gradualisht deri në 40 vite punë brenda 2029-ës. 

 

Çdo qytetari i duhen të paktën 15 vite punë për të përfituar të paktën një pension, por edhe ata që nuk plotësojnë asnjë kusht për të përfituar, pasi mbushin 70 vjeç u jepet pension social që aktualisht është 100 euro./Shqiptarja.com


Më të lexuarat