
Përshkallëzohet lufta tregtare, Kina i kundërgjigjet SHBA: Tarifë 84 për qind për mallrat amerikane
Kina ka njoftuar se do të rrisë tarifat mbi mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara nga 34% në 84%, duke filluar nga e enjtja.
Vendimi vjen si kundërpërgjigje ndaj rritjes së fundit të tarifave nga SHBA mbi produktet kineze, në mes të tensioneve në rritje për politikat tregtare mes dy vendeve.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Financave e Kinës bëri të ditur se tarifa e re do të hyjë në fuqi në orën 12:01 të mëngjesit më 10 prill, sipas orës lokale të Kinës (ora 19:01 e mbrëmjes së të mërkurës sipas orës së Evropës Qendrore – CET).
“Më 8 prill 2025, qeveria amerikane njoftoi se do të rrisë tarifën ‘reciproke’ mbi mallrat kineze të eksportuara drejt SHBA-së nga 34% në 84%. Praktika e SHBA-së për të përshkallëzuar tarifat ndaj Kinës është një gabim mbi një gabim, që cënon rëndë të drejtat dhe interesat legjitime të Kinës dhe dëmton seriozisht sistemin shumëpalësh të tregtisë së lirë, të bazuar në rregulla.”
Kjo përshkallëzim i ri i luftës tregtare rrezikon të shkaktojë pasoja të thella në tregtinë ndërkombëtare dhe në ekonominë globale.
Si rezultat i vendimeve të fundit tregtare, tarifat mbi mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara do të rriten nga 34% në 84%, bëri të ditur sot qeveria kineze. Kjo masë vjen menjëherë pas vendimit të administratës së Presidentit Donald Trump për të vendosur një tarifë prej 104% mbi eksportet kineze drejt SHBA-së.
Në një deklaratë të gjatë politike të publikuar më herët, Pekini ritheksoi se është i vendosur të “luftojë deri në fund” kundër tarifave amerikane, duke mbrojtur pozicionin se tregtia mes dy vendeve është e balancuar dhe se tarifat e reja përbëjnë një veprim të njëanshëm e të dëmshëm për sistemin tregtar global.
A do të negociojë Kina me Shtëpinë e Bardhë?
Përballë pyetjeve nëse është e gatshme të negociojë me administratën amerikane – siç kanë bërë tashmë disa vende të tjera – qeveria kineze ka refuzuar të japë një përgjigje të qartë. Në vend të kësaj, autoritetet në Pekin kanë zgjedhur të përforcojnë retorikën e vendosmërisë, duke e konsideruar veprimin amerikan si një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare dhe të interesave legjitime të Kinës.
Përshkallëzimi i ri i konfliktit tarifor pritet të ndikojë ndjeshëm tregjet ndërkombëtare dhe të thellojë pasigurinë ekonomike në një klimë tashmë të brishtë globale.
Në një deklaratë të fortë të publikuar bashkë me një dokument politik zyrtar (white paper), Ministria e Tregtisë së Kinës shkruan:
“Nëse SHBA këmbëngul në përshkallëzimin e mëtejshëm të kufizimeve ekonomike dhe tregtare, Kina ka vullnet të palëkundur dhe mjete të shumta për të ndërmarrë kundërmasa të nevojshme dhe për të luftuar deri në fund.”
Të premten e kaluar, Kina njoftoi një tarifë prej 34% mbi të gjitha mallrat e importuara nga SHBA, vendosi kontrolle të reja mbi eksportet e mineraleve të rralla dhe ndërmori një sërë masash të tjera në përgjigje të tarifave të reja të Presidentit Donald Trump, të cilat ai i quajti “Tarifat e Ditës së Çlirimit”.
Në kundërpërgjigje, Trump vendosi një tarifë shtesë prej 50% mbi mallrat kineze dhe deklaroi se negociatat me Pekinin janë “tërësisht të ndërprera”.
Deri tani, Kina nuk ka shfaqur gatishmëri për të hyrë në bisedime.
“Nëse SHBA dëshiron vërtet të zgjidhë çështjet përmes dialogut dhe negociatave, duhet të adoptojë një qasje të barabartë, me respekt dhe përfitim të ndërsjellë,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, të mërkurën.
Dokumenti politik i publikuar nga Pekini akuzon SHBA-në se nuk ka përmbushur premtimet e dhëna në marrëveshjen tregtare të fazës së parë, e nënshkruar gjatë mandatit të parë të Trump.
Ky përshkallëzim i luftës tregtare ndërlikon më tej marrëdhëniet midis dy superfuqive dhe rrit shqetësimet për ndikimet në ekonominë globale.
Në një dokument të publikuar së fundmi, autoritetet kineze akuzojnë Shtetet e Bashkuara për shkelje të marrëveshjeve të mëparshme, duke theksuar si shembull një ligj të ri amerikan që parashikon ndalimin e TikTok nëse aplikacioni nuk shitet nga kompania mëmë kineze, ByteDance.
Sipas Kinës, ky veprim bie ndesh me angazhimin që asnjëra palë të mos “ushtrojë presion për transferimin e teknologjisë tek individët e vet”.
Përplasja për TikTok vazhdon
Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër për të lejuar funksionimin e TikTok për 75 ditë të tjera, pas pezullimit të një marrëveshjeje për shitjen e aplikacionit tek pronarë amerikanë. Përfaqësues të ByteDance kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të sqaruar se Kina nuk do të japë më miratime për marrëveshjen, përpara se të nisin bisedime për çështje më të gjera tregtare dhe tarifore.
Dokumenti gjithashtu argumenton se, nëse merren parasysh tregtia e shërbimeve dhe veprimtaritë e degëve të kompanive amerikane në Kinë, shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë “afërsisht të balancuara”. Kina thekson se në vitin 2023 kishte një deficit në tregtinë e shërbimeve me SHBA-në prej 26.57 miliardë dollarësh (rreth 24.5 miliardë euro), kryesisht në sektorë si sigurimet, bankat dhe kontabiliteti. /Monitor(https://monitor.al/pershkallezohet-lufta-tregtare-kina-vendos-tarife-84-mbi-mallrat-amerikane/)
Më të lexuarat








