Secondary Adv

Banesa sociale me qira, shpallet lista e fituesve në Bashkinë Tiranë

Në dhjetor 2024, qytetarët aplikuan online në e-Albania për banesa sociale me qira, si pjesë e programit të strehimit të Bashkisë Tiranë.


Në fund të vitit të kaluar, nga data 10-17 dhjetor 2024, personat e interesuar aplikuan online në e-Albania për banesa sociale me qira, të përfituara nga kontributi i sektorit privat në kuadër të programit social të strehimit të Bashkisë Tiranë.

 

Ekofin.al publikon sot listën e plotë të personave që janë shpallur fitues me vendim të Këshillit Bashkiak Tiranë dhe që do të përfitojë banesa sociale me qira me kushte lehtësuese. Janë 31 familje që përfitojnë strehim me qira, të cilat variojnë nga 4,135 lekë në 11,175 lekë në muaj, në varësi të përbërjes familjare dhe zonave ku është akorduar banesa sociale nga Bashkia Tiranë.

 

Në bazë të vendimit, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike duhet të lidhë një kontratë 1-vjeçare qiraje me secilin nga përfituesit dhe t’i sistemojë ata në banesa.

 

Programi i banesave sociale me qira

 

Programi i banesave sociale me qira është programi, me anë të të cilit jepen me qira banesat në pronësi publike nga fondi publik i banesave sociale, si dhe banesat që janë në pronësi të pronarit social.

 

“Banesat sociale me qira përfshijnë: a) banesat sociale që ndërtohen ose blihen nga tregu i lirë, nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim që të jepen me kontratë qiraje sociale; b) banesat ekzistuese në treg, në pronësi të pronarit social; c) objektet e dala jashtë funksionit, si rezultat i mbylljes së një veprimtarie, të cilat kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe, në përputhje me planin e përgjithshëm vendor, janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira, që subvencionohen”.

 

Nga fondi i banesave sociale me qira, jo më pak se 80 për qind e familjeve që përzgjidhen të trajtohen në banesa sociale me qira duhet të kenë të ardhura nga 0 deri 100 për qind të të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse. Pjesa tjetër, jo më shumë se 20 për qind e familjeve mund të përzgjidhet brenda intervalit 100– 120 për qind të nivelit të të ardhurave mesatare. /ekofin.al


Më të lexuarat