Përfundon aksi Shëngjin-Velipojë, Rama: Vlerë e shtuar për Shqipërinë turistike
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se punimet për rrugën e re Shëngjin-Velipojë kanë përfunduar.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga rruga e re që lidh Shëngjinin me Velipojën, një projekt infrastrukturor që pritet të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen në këtë zonë turistike dhe të nxisë zhvillimin ekonomik të saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë bëri të ditur se punimet kanë përfunduar ndërsa e cilëson këtë rrugë si një tjetër investim që kontribuon në promovimin e Shqipërisë Turistike dhe në zbulimin e bukurive natyrore që vendi ofron
“...dhe me videokartolinën e rrugës së bukur Shëngjin - Velipojë, ndërtimi i shumëpritur i të cilës mbaroi, duke krijuar një vlerë të shtuar për Lezhën e për Shkodrën Turistike, qysh prej kësaj vere, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në Facebook.
Projekti është pjesë e programit të qeverisë për modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe planit për rritjen potencialit turistik të Shqipërisë me një investim me vlerë 3.8 miliardë lekë dhe rruga është 15 km.
Aksi Shëngjin-Velipojë konsiderohet një aks i rëndësishëm dhe me hapjen e tij do të krijohet një bosht i ri në një zonë me potencial shumë të madh zhvillimi turistik.
Nga Porti i Shëngjinit rruga i ngjitet shpatit me një lartësi 100-120 metra mbi nivelin e detit dhe ruan të paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Më pas lidhet me infrastrukturën e Velipojës. Kjo rrugë do të bëjë lidhjen e dy qendrave kryesore turistike. /Shqiptarja