Secondary Adv

Guvernatori i bankes, Sejko ne takimin e FMN-BB: Rritja ekonomike ne permiresim

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin vjetor të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Uashington.


Në këto takime, i pranishëm ishte edhe ministri i financave, Arben Ahmetaj. Guvernatori Sejko, zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, të cilët u shprehën pozitivisht lidhur me bashkëpunimin e deritanishëm me autoritetet shqiptare.Ata vlerësuan edhe progresin e arritur me reformat dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të mëtejshëm të tyre. Në këto takime, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit ku theksoi se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi.


Guvernatori Sejko, u shpreh se rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Më tej, ai bëri një ekspoze të sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike.Guvernatori u ndal në masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar të vendit.


Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjithashtu, Guvernatori Sejko pati rastin të zhvillojë takime dhe me homologë nga vende të ndryshme.


Më të lexuarat