Secondary Adv

Sektori bankar disbursoi më shumë se 189 mijë kredi vitin e kaluar

Sektori bankar disbursoi një numër rekord prej më shumë se 189 mijë kredish vitin e kaluar.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri i kredive u rrit me 72% krahasuar me një vit më parë.

 

Rritja më e madhe e numrit të kredive erdhi në segmentin e biznesit. Numri i kredive të disbursuara për bizneset vitin e kaluar arriti në pothuajse 74 mijë, me një rritje prej 76% krahasuar me një vit më parë. Kreditë e biznesit përbënin pak më shumë se 39% të numrit total të kredive të disbursuara, nga 38% që zinin një vit më parë.

 

Vlera totale e disbursimeve të kredive për bizneset arriti në afërsisht 211 miliardë lekë ose 39% më shumë krahasuar me një vit më parë.

 

Ndërsa numri i kredive të dhëna për individët arriti në më shumë se 115 mijë, 69% krahasuar me vitin 2023. Shuma totale e kredive të disbursuara për individët arriti në 92 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej rreth 16%.

 

Rritja shumë më e lartë në numër kredish, se sa në vlerën e tyre, mund të jetë një tregues i rritjes veçanërisht të kredive konsumatore, që kanë vlera mesatarisht më të ulëta krahasuar me kreditë për blerje të pasurive të paluajtshme.

 

Në numër, kreditë e individëve përbëjnë rreth 61% të totalit, ndërsa në vlerë rreth 30% të tyre.

 

Statistikat e Bankës së Shqipërisë japin disa të dhëna orientuese edhe për ecurinë e pagesave të kredive.

 

Vitin e kaluar, bizneset kryen 323 mijë pagesa të kësteve kredisë ose rreth 27 mijë pagesa kredie në muaj. Numri i pagesave u rrit me 34% krahasuar me një vit më parë.

 

Numri i pagesave jep një informacion orientues lidhur me numrin e kredive aktive dhe me rregullsinë e shlyerjes së tyre.

 

Megjithatë, duhet konsideruar se struktura e shlyerjes së kredive të biznesit jo gjithmonë është e njëjtë me atë të individëve, ku zakonisht pagesat kryhen me bazë mujore.

 

Individët vitin e kaluar kryen afërsisht 1.94 milionë pagesa të kësteve të kredisë ose mesatarisht rreth 162 mijë pagesa në muaj.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme vitin e kaluar zbriti në 4.17%, nga 4.74% që kishte qenë një vit më parë. Ky tregues ka arritur nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008. Gjatë vitit 2024, raporti i kredive me probleme ka pësuar një rënie të lehtë edhe në vlerë absolute.

 

Totali i kredive me probleme vlerësohej në afërsisht 34.8 miliardë lekë, nga rreth 35.3 miliardë lekë që kishte qenë një vit më pare. Në vlerë, kreditë e këqija kanë rënë me afërsisht 0.5 miliardë lekë ose 1.4% krahasuar me një vit më parë. /Monitor(https://monitor.al/sektori-bankar-disbursoi-me-shume-se-189-mije-kredi-vitin-e-kaluar/)


Më të lexuarat