Korridori Jugor i Gazit, Shqiperia pjese e hartes energjetike te Europes
Në Azerbajxhan kanë nisur punimet për ndërtimin e Korridorit Jugor të Gazit, që pritet të lidhet më pas me Gazsjellësin e Kaukazit të Jugut (SCPX), Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) dhe atë Trans Adriatik (TAP).
Dita e sotme shënon nisjen zyrtarë të punimeve për Korridorin Jugor të Gazit, si një ndër projektet më madhore të fushës energjitike në Europë. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, prezent në çeljen zyrtare në Azerbaxhan, shprehet se ky projekt do të mundësojë që Shqipëria të jetë pjesë e hartës energjitike të Europës. Ai thekson se Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj TAP dhe se projekti ka rëndësi thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Zyrtarë të vendeve nga do të kalojnë këto projekte vendosën në mënyrë simbolike firmën mbi tubin e parë të rrjetit të Korridorit Jugor të Gazit. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, ministri Gjiknuri deklaroi se, Korridori Jugor i Gazit është një projekt shumë i rëndësishëm dhe ceremonia e nisjes së punimeve është një lajm shumë i mirë që përçohet tek qytetarët e vendeve tona.
Korridori Jugor i Gazit
“Transportimi i gazit nga fusha e Shah Denizi përmes TANAP dhe TAP do të mund të diversifikojë burimet tona energjetike dhe do ta vendosë Shqipërinë në hartën energjitike të Evropës”, u shpreh Ministri. “Ky gazsjellës, me ndihmën edhe të SOCAR dhe aksionerëve të tjerë të interesuar, mund të kthehet në një burim zhvillimi, jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe të gjithë Evropën juglindore. Ne jemi të gatshëm për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, bazën ligjore për të garantuar suksesin e këtij projekti”, theksoi Ministri Gjiknuri.
Sipas Gjiknurit, degëzimi i TAP dhe me projektin e gazsjellësit IAP do të rrisë shanset dhe mundësitë për sigurinë energjitike të gjithë rajonit. Ministri siguroi se, qeveria shqiptare po mbështet fuqishëm investimet e huaja dhe se përmes transparencës e sigurisë po krijohet mjedisi i përshtatshëm që çdo sipërmarrës ta shohë Shqipërinë si një mundësi për të investuar.
Korridori Jugor i Gazit është një nga sistemet e gazit me vlera multidimensionale të zhvilluara ndonjëherë në botë. Gjatësia e tij është mbi 4000 km, ai përshkon shtatë vende duke përfshirë shumë kompani energjie. Korridori është i përbërë nga disa projekte të veçanta energjetike, që përfaqësojnë një investim të përgjithshëm prej rreth 45 miliardë dollar.