Stacionet e plazhit, nis faza e dytë aplikimit, afati deri më 30 prill
Për sezonin turistik veror 2025 kanë nisur aplikimet e fazës së dytë për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se “të gjithë subjektet të cilët kanë aplikuar përmes portalit E-Albania, për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi për sezonin turistik veror 2025 dhe janë njoftuar për të vijuar me fazën e dytë të aplikimit kanë afat deri në datë 30 prill të ngarkojnë në portalin “e-Albania” dokumentacionin e kërkuar”.
Kumbaro tha se “janë mbi 1000 parcela plazhi publike, 800 udhërrëfyes të certifikuar, mbi 170 operatorë detarë të certifikuar dhe mbi 400 mjete ujore të certifikuara, që janë garancia e standardeve dhe sigurisë për sezonin veror 2025, për të cilin është punuar çdo ditë të vitit”.
Të drejtën për të përdorur hapësirën e plazhit e kanë subjektet private që janë të kategorizuara si: “Bujtinë, Fjetinë (Hostel), Hotel, Resort, Qendër kurative, Fjetje dhe mëngjes, Apartament/vilë”, që kanë jo më pak se 5 dhoma dhe “Bllok apartamentesh”, që janë dy ose më shumë apartamente në të njëjtën vendndodhje dhe menaxhohen nga i njëjti sipërmarrës turistik, që kanë jo më pak se 5 dhoma.
Faza e parë ishte ajo e aplikimit dhe dorëzimit të dokumentacionit, ndërsa në të dytën saktësohet aplikimi, gjenerohet mandati i pagesës dhe caktohet plan-vendosja përkatëse të stacionit të plazhit.
Qeveria këtë herë ka premtuar se do të monitorojë me rigorozitet zbatimin e ligjin si edhe ndarjen e hapësirave, ku të paktën 30% e tyre duhet të jenë të lira, pa shezllone, për plazhet publike. Gjithsesi, përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi bashkitë./Ekofin.al