Tahiri: Ne janar do rrisim pagat e punonjesve te policise me 17 per qind
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mori pjesë sot në aktivitetin “Policia e gjeneratës së re”. Ai bëri me dije se rrogat e punonjësve të policisë do të rriten sërish në janar. Këtë herë rritja do të jetë 17 për qind.
“Policia e Shtetit kishte pagat më të ulëta në rajon, për të mos folur për BE. Ne u angazhuam që tradhtinë e Qeverisë së shkuar ta kthejmë në besim dhe mbështetje për Policinë. Vendosja e taksës progresive në 2013 ndikoi në rritjen e pagës neto të punonjësve të nivelit bazë të Policisë mesatarisht me 2.3 %, ndërkohë më pagat e nivelit bazë ndikoi në një rritje 5%.
Gjatë vitit 2014 u rritën me 25% pagat e punonjësve të nivelit bazë të Policisë së Shtetit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt trajtimit më të mirë financiar. Paga mesatare e nivelit bazë ishte 45.600 lekë dhe u bë 57.100 lekë. Ligji i ri i Policisë së Shtetit parashikuam dhe rritje të pagës për efekt të vjetërsisë në punë, me efekt që nga marsi i këtij viti. Kjo sjell një rritje mesatare të pagave me rreth 5%.
Që në vitin e parë miratuam ligjim ‘Për sigurimin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave Speciale Operacionale të Policisë së Shtetit’, sepse punonjësit e forcave speciale shkonin në operacione pa sigurim për shëndetin. Përveç pagave të ulëta, deri në 2013, për mbi 2 vjet punonjësve të Policisë së Shtetit, kryesisht punonjësve të forcave speciale, nuk u paguheshin orët jashtë orarit, dietat, shpërblimet për largësinë nga vendbanimi”, deklaroi Tahiri.