Tjetër ndërhyrje për turizmin, FSHZH 1.27 mln euro për trotuar dhe korsi biçikletash në Valbonë
Një tjetër ndërhyrje në përmirësim të aksesit pritet të bëhet në zonën e Valbonës.
Fondi Shqiptar I Zhvillimit çeli këtë të premte procedurën “Përmirësimi i transportit lokal dhe urban me ndërhyrje në rrugë dhe trotuare:Lot 5 -“Ndërtim trotuari përgjatë rrugës “Azem Hajdari”, Valbonë Bashkia Tropojë. Fondi limit për këtë procedurë ëhstë llogaritur në 127 milionë lekë apo rreth 1.27 milionë euro.
Referuar dokumenteve FSHZH argumenton se ndërhyrja pozicionohet në Valbonë dhe konkretisht në rrugën Azem Hajdari. Valbona është një destinacion i njohur për turistë vendas dhe të huaj, të cilët shpesh përdorin rrugën për të ecur nga fshati në drejtim të zonave natyrore dhe atraksioneve turistike.
“Mungesa e një trotuari përbën një rrezik të madh për sigurinë e tyre, pasi ata detyrohen të ecin pranë rrugës ku qarkullojnë automjete, shpesh në kushte të ngushta dhe të pasigurta. Parku Kombëtar i Valbonës po tërheq një numër të madh turistësh çdo vit, dhe numri pritet të rritet në të ardhmen” thuhet në raportin teknik që shoqëron tenderin.
FSHZH detajon se në gjendjen e saj ekzistuese, rruga është me kushte të mira për sa i përket lëvizjes së automjeteve, por i mungon hapësira për lëvizjen këmbësore, nevojë e cila shtohet pas çdo sezoni turistik. Trotuari do ndërtohet në një gjatësi prej 4.1 km përgjatë rrugës ekzistuese, ndërsa korsia e biçikletave në një gjatësi rreth 3.2 km
“Qëllimi kryesor është përmirësimi i infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve për të lehtësuar qarkullimin e këmbësoreve. Nëpërmjet modernizimit të sistemeve të sinjalizimit dhe instalimit të korsive për biçikleta, synohet të ndihmohet në uljen e trafikut dhe të kontribuohet në një mjedis më të pastër dhe më të sigurt për banorët” nënvizon FSHZH.