
Kina kërkon të afrohet me BE mes luftës tregtare me SHBA
Pekini synon afrimin me Brukselin për të kompensuar humbjen në tregun amerikan, por pengesa të konsiderueshme mbeten.
Zyrtarët dhe bizneset kineze po kërkojnë një afrim me BE-në mes luftës tregtare të Donald Trump, por blloku mbetet thellësisht skeptik për t’u bërë një vend depozitimi për mallrat e devijuara nga SHBA.
Udhëheqësit e BE-së kanë shprehur gjithashtu publikisht nevojën për një bashkëpunim më të madh, një kontrast i fortë me deklaratat e tyre të mëparshme për nevojën për të diversifikuar zinxhirët e tyre të furnizimit nga Pekini.
Por një rifillim i marrëdhënieve BE-Kinë do të duhet të kapërcejë dallimet e thella mbi suficitet e mëdha tregtare të Kinës, barrierat për të hyrë në tregun e saj dhe mbështetjen e heshtur për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Edhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila ka qenë mbështetëse e diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit nga Kina, i tha kryeministrit kinez Li Qiang javën e kaluar se të dy palët duhet të punojnë së bashku për të siguruar “stabilitet dhe parashikueshmëri” për ekonominë globale.
Ministria e Tregtisë e Kinës ka dërguar delegacione tregtare në javët e fundit në Stokholm, Budapest, Oslo dhe Hanover për të nxitur interesin për të investuar në Kinë, ku kompanitë e huaja janë ankuar për pengesa për aksesin në treg.
Konsumi i dobët i brendshëm në Kinë ka krijuar gjithashtu presione deflacioniste, duke intensifikuar konkurrencën e çmimeve dhe duke e bërë atë një treg më pak tërheqës për kompanitë e huaja.
Çdo zbutje do të duhet gjithashtu të kapërcejë fërkime të rëndësishme. BE-ja ka kritikuar Kinën për aleancën e saj me Rusinë dhe mbështetjen e pushtimit të Ukrainës nga Moska. Belgjika po heton Huaëei, gjigandin kinez të telekomunikacionit, për pretendime korrupsioni të anëtarëve të Parlamentit Europian, akuza që firma i mohon.
Udhëheqësi kinez Xi JinPing do të marrë pjesë në një paradë në Moskë, që shënon 70 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Një tjetër tension është tregtia. Eksportet e Kinës në bllok ishin më shumë se dyfishi i importeve të saj vitin e kaluar, dhe liderët e BE-së kanë akuzuar Pekinin për kultivimin e mbikapacitetit industrial për të kompensuar dobësitë ekonomike në vend, duke përmbytur tregjet e kontinentit me mallra me kosto të ulët dhe duke nënvlerësuar industrinë vendase.
BE-ja ka hapur hetime të mbrojtjes tregtare kineze për mallra të shumtë, disa duke rezultuar në tarifa më shumë se 100 përqind. Pekini është kundërpërgjigjur me hetime që synojnë mishin e derrit, konjakun dhe produktet e qumështit të BE-së.
Por nëse bisedimet tregtare me SHBA-në dështojnë në arritjen e ndonjë lehtësimi nga tarifat, BE-ja mund të vendosë që edhe një marrëveshje e keqe me Pekinin është e preferuar sesa një luftë tregtare me dy fronte me SHBA-në dhe Kinën. Kina dhe BE kanë rënë gjithashtu dakord të rrisin dialogun dhe negociatat e nivelit të lartë për të zgjidhur taksat për automjetet elektrike kineze.
Pekini mund të mbështetet në disa kompani gjermane me një gjurmë të konsiderueshme në Kinë për të krijuar lidhje më të ngushta.
Çmimet e mallrave tregojnë për shenja të hershme të një riporositjeje tregtare. Indeksi i mallrave me kontejnerë Ningbo tregoi se normat në bregun perëndimor të SHBA u ulën 18 % për javën deri më 11 prill nga java e mëparshme, ndërsa çmimet në Mesdhe u rritën 15 %.
/Monitor (https://monitor.al/kina-kerkon-te-afrohet-me-be-mes-luftes-tregtare-me-shba/)
Më të lexuarat








