
Vdekja e Papa Françeskut, tre ditë zie kombëtare në Itali, hapat për të zgjedhur pasardhësin e ri
Tre ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Françeskut pritet të shpallen në Itali, në prag të funeralit të tij.
Papa Françesku ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Vatikani konfirmoi nëpërmjet kardinalit Kevin Farrell lajmin e hidhur për besimtarët katolikë në të gjithë botën.
Në certifikatën e vdekjes të firmosur nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Higjienës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit, profesori Andrea Arcangeli, e cila është bërë publike nga zyra e shtypit e Vatikanit, thuhet se Papa Françesku ka vdekur si pasojë e një goditjeje në tru (iktus), e cila e ka futur në koma të pakthyeshme, për t’u shuar më pas nga një kolaps i sistemit të qarkullimit të gjakut dhe zemrës.
Funerali i Papa Françeskut pritet të mbahet midis ditës së premte dhe së dielës. Datën përfundimtare do ta vendosë kolegji kardinalor, në përputhje me rregullat që përcaktojnë se ceremonia duhet të zhvillohet midis ditës së katërt dhe të gjashtës pas vdekjes. Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ceremonia mortore pritet të zhvillohet ditën e shtunë.
Lajmi erdhi një ditë pasi Ati i Shenjtë u shfaq në ballkon në një karrige lëvizëse për t’iu drejtuar besimtarëve në sheshin Shën Pjetër, ku mesazhi i tij shkoi për përfundimin e luftërave dhe padrejtësive.
Papa ishte 88 vjeç. Dukshëm shëndeti i tij ishte përkeqësuar pas betejës me pneumoninë e rëndë që e mbajti mbi 1 muaj në spital. Kjo u pa edhe në daljen e tij të fundit përpara besimtarëve, ku edhe pse fizikisht u bë pjesë e ceremonisë për Pashkën ai kishte të pamundur të fliste gjatë.
Papa Françesku u nda nga jeta pas disa muajve të vështira për shëndetin e tij. Prej muajsh ai vuajti nga problemet e shëndetit, që nga ato të gjunjëve e deri tek pneumonia që e mbajti në spital për mbi 1 muaj 88-vjeçarin.
Konfirmimi për vdekjen e Papa Françeskut solli reagime të menjëhershme. Kryeministrja Italiane Meloni tha se lajmi sjell trishtimi të madh, sepse një njeri i madh dhe një pastor i madh na largohet.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen tha se Françesku frymëzoi miliona njerëz, shumë përtej Kishës Katolike, me përulësinë dhe dashurinë e tij të pastër. Mesazh ngushëllimi u përcoll edhe nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, i cili e quajti Papa Françeskun një njeri të jashtëzakonshëm.
Tre ditë zie kombëtare për vdekjen e Papa Françeskut pritet të shpallen në Itali, në prag të funeralit të tij. Sipas burimeve qeveritare, La Repubblica raporton se ky është një propozim që do të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, i cili është thirrur të mblidhet nesër në orën 11:00.
Këshilli i Ministrave do t’i besojë shefit të Departamentit të Mbrojtjes Civile, Fabio Ciciliano, koordinimin e veprimtarive dhe të të gjitha strukturave të angazhuara me rastin e funeralit, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2005 me ceremonitë mortore të Papa Gjon Palit II.
Hapat për të zgjedhur pasardhësin e ri
Me vdekjen e Papa Françeskut, Kisha Katolike do të fillojë ritualet e detajuara tradicionale që shënojnë fundin e një papati dhe fillimin e një tjetri.
Shumica e tyre drejtohen nga një kushtetutë e njohur si Universi Dominici Gregis, e miratuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 1996 dhe e rishikuar nga Papa Benedikti XVI në vitet 2007 dhe 2013.
Një kardinal i njohur si kamerleng, aktualisht irlandezo-amerikani Kevin Farrell, do të drejtojë punimet e zakonshme të Kishës Katolike Romake me gati 1.4 miliardë anëtarë gjatë periudhës së njohur si "sede vacante" (karrige bosh).
Ai konfirmon zyrtarisht vdekjen e Papës, një çështje e thjeshtë në ditët e sotme, që përfshin një mjek dhe një certifikatë vdekjeje. Deri në shekullin e 20-të, kjo bëhej duke trokitur një çekiç argjendi në ballin e papës tre herë. Kamerlengu dhe tre asistentë sigurohen që "Unaza e Peshkatarit" e papës dhe vula e tij të jenë të thyera, në mënyrë që të mos përdoren nga askush tjetër. Nuk kryhet autopsi në trupin e tij.
Krerët e shumicës së departamenteve të Vatikanit japin dorëheqjen derisa papa i ri t'i konfirmojë ose zëvendësojë ata.
Ritet e zisë zgjasin nëntë ditë, me datën e funeralit dhe varrimit që do të vendoset nga kardinalët. Papa Françesku, i cili shmangu shumë nga privilegjet e udhëheqjes së Kishës Katolike globale, modifikoi dhe thjeshtoi ritet e varrimit të papës në vitin 2024.
Mesha e varrimit pritet të mbahet ende në Sheshin e Shën Pjetrit, por ndryshe nga shumë paraardhës, Françesku kërkoi të varrosej në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe të Romës për të qenë pranë ikonës së tij të preferuar.
Françesku gjithashtu kërkoi të varrosej në një arkivol të thjeshtë prej druri, ndryshe nga paraardhësit që u varrosën në tre arkivole të ndërthurura prej selvie, plumbi dhe lisi. Ai kërkoi që trupi i tij të mos ekspozohej mbi një platformë të ngritur, ose katafalk, në Bazilikën e Shën Pjetrit, që ta shihnin vizitorët e Romës, siç ndodhte me papët e mëparshëm.
Konklava
Kardinalët nga e gjithë bota mblidhen në Romë pas vdekjes së një pape. Ata mbajnë takime të përditshme të njohura si kongregacione të përgjithshme për të diskutuar çështjet e Kishës dhe për të paraqitur karakteristikat që secili beson se duhet të ketë papa i ri. Kardinalët e moshës 80 vjeç e lart mund të marrin pjesë në konklavat e përgjithshme, por nuk lejohen të hyjnë në konklavë për të zgjedhur Papën e ardhshëm.
Tradicionalisht, një periudhë zie prej 15 ditësh mbahet përpara se të fillojë një konklavë. Përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2013, Papa Benedikti modifikoi kushtetutën për të lejuar që ajo të fillonte më shpejt nëse kardinalët do të donin, ose maksimumi 20 ditë pas vdekjes nëse disa prej tyre hasin vështirësi për të shkuar në Romë.
Konklava mbahet në Kapelën Sistine. Fjala “konklavë” vjen nga latinishtja, që do të thotë "me çelës". Ajo rrjedh nga një traditë që filloi në shekullin XIII, ku kardinalët mbylleshin brenda, një formë për t'i nxitur të vendosnin sa më shpejt dhe të kufizonin ndërhyrjet e jashtme.
Këto ditë pjesëmarrësve u ndalohet çdo komunikim me botën e jashtme. Telefonat, interneti dhe gazetat nuk lejohen dhe policia e Vatikanit përdor aparate elektronike për të siguruar zbatimin e rregullave.
Për zgjedhje, nevojitet një shumicë prej dy të tretash plus një. Nëse askush nuk zgjidhet pas 13 ditësh, mbahet një balotazh midis dy kandidatëve kryesorë, por ende nevojitet një shumicë prej dy të tretash plus një. Kjo synon të promovojë unitetin dhe të dekurajojë zgjedhjen e kandidatëve me kompromis.
Kur konklava zgjedh Papën, ai pyetet nëse pranon dhe cilin emër dëshiron të marrë. Nëse refuzon, procedura fillon nga e para. /Shqiptarja
Më të lexuarat








