Secondary Adv

Arkëtimet nga pushteti vendor në 2024, Klosi e Lezha me rritjen më të madhe

Të 61 bashkitë e vendit tonë paraqiten me diferenca të mëdha në kapacitet e menaxhimit financiar dhe sidomos me ofrimin e shërbimeve ndaj komuniteteve ku qeverisin.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 2024, bashkitë e Klosit, Lezhës, Tepelenës, Fushë-Arrësit, Roskovecit dhe Kurbinit kishin rritjen më të lartë të të ardhurave të veta vendore, ndërsa në anën tjetër Bashkitë e Pustecit, Poliçanit, Rrogozhinës, Këlcyrës, Përmetit dhe Dropullit kishin rënien më të madhe te të ardhurave nga taksat vendore në vitin 2024 në krahasim me 2023.

 

Përformancën më të mirë fiskale për vitin e kaluar e kishte Bashkia e Klosit i cila arkëtoi nga taksat vendore 98 për qind më shumë të ardhura se më vitin 2023. Klosi është bashki e vogël me një program të ardhurash vendore rreth 70 milionë lekë për vitin 2024, por Ministra e Financave raportoi se kjo bashki kishte rritjen më të madhe të arkëtimeve nga taksat e veta.

 

Bashkia e Lezhës ishte e dyta në rang kombëtar për rritjen e të ardhurave vendore nga burimet e veta me gati 80 për qind më shumë se në vitin 2023. Në bregdetin e Lezhës vit pas viti po shtohen strukturat akomoduese për shkak të zgjerimit në dy anët e qytetit të vjetër të Shëngjinit çka po ndikon pozitivisht në burimet financiare të Bashkisë. Lezha renditet ndër bashkitë me administrim me të mirë financiar edhe sa i përket investimeve.

 

Bashkia e Tepelenës u rendit e treta në rang kombëtar për rritjen e të ardhurave vendore me rreth 78 për qind në vitin 2024 në krahasim me 2023, e ndjekur nga Bashkia e Fushë-Arrësit me 70 për qind rritje.

 

Nga të 61 bashkitë në 49 prej tyre të ardhurat u rritën, ndërsa në 12 pësuan rënie.  Performancën më të dobët fiskale me 2024 e kishte Bashkia e Pustecit me rënie të arkëtimeve nga burimet e veta me 76 për qind. Kjo bashki është nga më të voglat në vend për numër banorësh dhe me një popullsi shumë të plakur. Ajo shtrihet në buzë të liqenit të Prespës dhe ka mjaft burime turistike për të zhvilluar por pakësimi dhe plakja e popullsisë po e kushtëzon.

 

E dyta për rënien më të madhe te të ardhurave të ishte Bashkia e Poliçanit me 35 për qind, e ndjekur nga Rrogozhina -25%, Këlcyra me -19% etj.

 

Në bashkitë e mëdha me qendër qarku të ardhurat u rriten ndjeshëm të ndikuara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.  Psh në Bashkitë e Tiranës të ardhurat nga burimet e veta në vitin 2024 u rriten 31% në krahasim me vitin 2023, në Bashkinë e Durrësit me 28%, Elbasanit me 26% dhe Shkodrës me 21 %.

 

Bashkitë në të gjithë vendin grumbulluan nga të ardhurat e veta 44,4 miliardë lekë në vitin 2024 ose 27% më shumë se në vitin 2023. Kontribuuesi kryesor ishte Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja. Në vitin 2024 treguesi i autonomisë financiare në pushtetin vendor arriti në 60% nga 51 % që ishte në vitin 2023.

 

/Monitor (https://monitor.al/si-performuan-bashkite-me-arketimet-me-2024-klosi-e-lezha-me-rritjen-me-te-forte/)


Më të lexuarat