Secondary Adv

Kërkesa në rritje, por bankat raportojnë ulje të shkallës së miratimit të kredive

Bankat ulën shkallën e miratimit të kredive në tremujorin e parë të këtij viti, si për individët, ashtu edhe për bizneset.

Të dhënat nga Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues, i Bankës së Shqipërisë, tregojnë se, në segmentin e individëve, rritja e shkallës së refuzimeve u shkaktua nga politikat e bankave lidhur me kolateralin e kërkuar.

 

Ndërkohë, faktorët e tjerë paraqitën ndryshime minimale. Kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u raportuan të pandryshuar në tremujorin e parë të vitit. Të gjitha elementet çmim dhe joçmimformues të kushteve e termave të kreditimit për kreditë akorduar individëve nuk ndryshuan në këtë tremujor.

 

Kërkesa e individëve për kredi u raportua më e lartë në tremujorin e parë të vitit 2025, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit.

 

Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, sollën kërkesë më të lartë për kredi në tremujorin e parë. Faktorët e tjerë patën ndikime minimale.

 

Dinamika të ngjashme shfaqi edhe segmenti i biznesit, ku shkalla e miratimit të kredive u raportua më e ulët në tremujorin e parë. Faktorët që ndikuan në rritjen e shkallës së refuzimeve për kredi të bizneseve ishin historiku nga regjistri i kredisë, të ardhurat e disponueshme dhe pasqyrat financiare të bizneseve.

 

Edhe te bizneset, njëlloj si te individët, kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e parë të vitit 2025. Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

 

Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe

 

inventarëve të kapitalit qarkullues. Po ashtu, në gjykimin e bankave, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi. Nga ana tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit ndikoi në kahun rënës të kërkesës për kredi të bizneseve në tremujorin e parë të vitit.

 

Pavarësisht uljes së shkallës së miratimit të kredive në tremujorin e parë, bankat presin që standardet e kreditimit për individët në tremujorin e dytë të lehtësohen në kreditë për blerjen e banesave. Megjithatë, ato parashikojnë të shtrëngojnë standardet për kreditë konsumatore.

 

Në parashikimet për segmentin e biznesit, bankat presin që në tremujorin e dytë të vitit 2025, standardet e kreditimit të lehtësohen në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, në kreditë për financimin e investimeve, si dhe në kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditet. Nga ana tjetër, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh.

 

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, për 2-mujorin janar-shkurt 2025, vlera e kredisë së re për ekonominë arriti në 60.6 miliardë lekë, në rritje me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. /Monitor(https://monitor.al/kerkesa-ne-rritje-por-bankat-raportojne-ulje-te-shkalles-se-miratimit-te-kredive/)


Më të lexuarat